Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj i shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka vizituar sot Klinikën e Mjekimit Intensiv Qendror në QKUK. Ata panë nga afër trajtimin mjekësor që po iu ofrohet të prekurve nga COVID-19që janë të shtrirë në këtë Klinik.
Ministri Zemaj bëri thirrje për kujdes të shtuar me qëllim që mos të rëndohet puna e stafit mjekësor.
“Kam kërkuar që ta rrisim kapacitetin e mbështetjes profesionale duke dërguar dhe asistencë dhe punë të përbashkët të shohim se si mund të menaxhojmë më mirë situatën dhe se si mund t’i trajtojmë pacientët tanë që t’i mbajmë në jetë ato që janë raste të rënda fatkeqësisht edhe me sëmundje tjera përcjellëse… Inkurajuese ishte puna dhe inkurajuese ishte që disa pacientë edhe pse kanë qenë shumë rëndë të infektuar dhe të rënduar nga COVID janë duke u përcjell dhe shumë shpejt do jenë jashtë asaj klinike dhe do u kthehen familjeve shëndoshë e mirë. Si Ministri e Shëndetësisë dhe si ministër obligohemi të vazhdojmë këtë mbështetje edhe me ngritjen e resurseve humane dhe kapaciteteve të infrastrukturës të cilat fatmirësisht në këtë klinik nuk mungojnë dhe duhet ta përcjellim këtë trend të përkrahjes”, tha ai.
Kurse, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi tha se përkundër se gjendja është e rënduar po tentojnë që Klinikën e Neurologjisë ta lirojnë nga pacientët që po trajtohen për koronavirus.
Sipas Krasniqit qëllimi është t’i rikthejnë shërbimet për pacientët që nuk janë të infektuar.
“Situata ende paraqitet e rënduar dhe ende kemi numër të madh të pacientëve. Ende kemi mbi 40 pacientë të cilët janë me respirator qoftë të intubuar disa prej tyre apo në formën CPAP apo ventilimin mekanik të asistuar…. Ne sot kemi vendosur që gradualisht të lirojmë edhe Klinikën e Neurologjisë nga data 21 në repartin e Operativës së Gjinekologjisë nuk kemi pacientë me COVID, sot kemi vendosur që edhe pacientët e Neurologjisë t’i bartim në Klinikën e Infektivës dhe Pulmologjisë në mënyrë që të provojmë tash që të provojmë t’i kemi pacientët vetëm në Klinikën e Infektologjisë dhe Pulmologjisë dhe gradualisht t’i rikthejmë shërbimet edhe për pacientët e tjerë jo COVID”, tha Krasniqi.
Shefi i Mjekimit Intensiv COVID-19, Naim Kuqi tha se në këtë klinik janë duke u trajtuar 12 pacientë me COVID-19.
“Në Mjekimin Intensiv Qendror COVID për momentin i kemi 12 pacientë me COVID, prej 12 pacientëve pak më herët i pranuam edhe dy të gjendje të rëndë, 3 i kemi me maskë të thjeshtë vetëm me O2 suport, janë të vetëdijshëm komunikativ, ushqehen disa të tjerë i kemi me maska me mbështetje suport me respirator”, tha ai.