UBT News

Krasniqi homazhe në Izbicë: Në këtë përvjetor të dhembjes, thërrasim për drejtësi

Kryetari PDK-së, Memli Krasniqi së bashku me kryetarin e Skenderajt, Fadil Nura kanë kujtuar dhe nderuar 147 martirët e një prej masakrave më të mëdha në Kosovë, asaj të Izbicës, të cilët, 24 vjet më parë u vranë mizorisht nga regjimi kriminal serb.

Deputeti Krasniqi tha me këtë rast fatkeqësisht, janë mbi 400 masakra të kryera mbi popullsinë civile shqiptare, për të cilat, fare pak urdhërdhënës dhe ekzekutues kanë dalë para drejtësisë.

Prandaj, edhe në këtë përvjetor të dhembjes, ka bërë thirrje për drejtësi, të cilën akoma e presin dhe kërkojnë familjarët, shoqëria dhe shteti ynë.

“Sa herë që vjen marsi dhe rikthehet pranvera bashkë me to rikthehen edhe dhembja, edhe ditët e krenarisë tonë kombëtare, sepse ne shënojmë përvjetorët e disa prej masakrave më çnjerëzore që regjimi serb i Millosheviqit i bëri mbi popullatën civile shqiptare në vitin 1999. Këto masakra dhe këto sulme nuk ishin të rastësishme, sepse ishin pjesë të një fushate gjenocidale, një lufte që qëllim kishte shfarosjen e popullit shqiptar dhe dëbimin e tyre nga vendi ynë, nga Kosova. Një ndër këto masakra ndër shembujt me çnjerëzor të regjimit brutal të Millosheviqit ndodhi pikërisht këtu në Izbicë 24 vjet më parë ku 147 qytetarë të pafajshëm të Izbicës dhe të fshatrave për rreth në mënyrë çnjerëzore u vranë e u masakruan ashtu siç e pa e gjithë bota”, theksoi ai.

Kryetari i PDK-së, theksoi se lufta e UÇK-së ka qenë një luftë e drejtë. Ai shprehu bindjen e tij se së shpejti do të përfundojë vulosja e pafajësisë dhe drejtësisë për udhëheqësit e UÇK-së në Hagë.

“Si për ironinë e fatit ne sot si popull e si komb dhe si qytetarë ballafaqohemi me një fakt i cili është sa absurd aq edhe jo racional me faktin që pikërisht ata që u ngritën kundër atij pushteti e regjimi për të cliruar vendin, ushtarët e lirisë, themeluesit dhe udhëheqësit e UÇK-së, sot po mbahen në bankën e të akuzuarve në Hagë. Lufta e UÇK-së ka qenë një luftë e drejt dhe një luftë mbrojtëse. Dhe pa dyshim se ne jemi të bindur që ky proces që do të fillojë së shpejti do të përfundojë vulosjen e pafajësisë dhe drejtësisë për udhëheqësit e UÇK-së”, theksoi ai.

Ndërsa, kryetari i Skenderajt Fadil Nura u shpreh se masakra e Izbicës, me gjithë dhembshurinë për të gjitha viktimat e saj që u shkaktuan nga agresori serb 24 vjet më parë, mbetet dëshmi që i reziston kohës dhe çdo ndryshimi tjetër natyror e shoqëror se rruga për të mbërritur te liria, ishte e vështirë.

“Masakra e Izbicës është dhembja jonë kolektive, është malli i pa shuar për jetët e bashkëqytetarëve tanë. Është kujtimi i pavdekshëm për çlirimtarin e vogël, i cili ende pa i bërë dy muaj u nda në mënyrë të dhembshme nga prindërit që e sollën në jetë. Vetëm pesë javë nga jeta e tij e nisur mes krismave të kësaj ane dhe luftës së pabarabartë mes një populli liridashës dhe një agresori të neveritshëm, çlirimtari është viktima më e re e masakrës së Izbicës… Masakra e Izbicës është dëshmi që i reziston kohës dhe çdo ndryshimi tjetër natyror e shoqëror”, theksoi ai.

Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.

Exit mobile version