UBT News

Krasniqi: E merituam fitoren, ndaj Austrisë mund të fitojmë

Sulmuesi i Kosovës, Ermal Krasniqi, ka folur për faqen zyrtare të FFK-së pas fitores 1-0 ndaj Irlandës, duke vlerësuar paraqitjen e “Dardanëve” dhe duke folur për sfidën e radhës ndaj Austrisë.

Krasniqi tha se Kosova e kishte të vështirë të gjente golin në pjesën e parë, pasi Irlanda ishte e tërhequr në mbrojtje. Megjithatë, ai theksoi se skuadra krijoi raste dhe e meritoi fitoren.

“Ishte e vështirë që në pjesën e parë të shënonim gol, sepse kundërshtari qëndronte vetëm në mbrojtje dhe ne luanim kryesisht me topa të gjatë. Por, bëmë një paraqitje të mirë dhe shumë pozitive, krijuam raste dhe ishte vetëm çështje minutash se kur do të vinte goli. Në fund, ai erdhi dhe ne e merituam fitoren”, ka deklaruar Krasniqi.

Sulmuesi kosovar foli edhe për rëndësinë e lojtarëve që inkuadrohen nga banka, duke theksuar se secili duhet të jetë i gatshëm për të dhënë kontributin e tij.

“Të gjithë lojtarët që janë në bankë duhet të jenë gati. Edhe unë isha i gatshëm gjatë gjithë kohës, sepse mendoj se lojtarët që vijnë nga banka mund ta ndryshojnë lojën. Kështu ndodhi edhe dje dhe jam i lumtur që isha pjesë e golit. Më e rëndësishmja ishte fitorja”, u shpreh ai.

Krasniqi u ndal edhe te ndeshja e radhës ndaj Austrisë, të cilën e sheh si një prej skuadrave më të forta të grupit. Megjithatë, ai beson se Kosova mund të synojë fitoren edhe në Vjenë.

“Normalisht, Austria mund të themi se është favorite e grupit, por nëse luajmë si grup dhe siç luajtëm dje, besoj se edhe atje mund të arrijmë një fitore. Pse jo?”, përfundoi Krasniqi.

D.L

Exit mobile version