Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi foli për media pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha. Ai tha se me këtë zgjedhje nuk është e kënaqur as Vetëvendosje , as qytetarët, as PDK-ja.
Sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës e ka mbajtur fjalën e dhënë për votimin e një kandidati që s’ka qenë pjesë e ekzekutivit. Gjithashtu ai ka deklaruar se në një situatë normale, kjo parti nuk do ta votonte dikë si Dimal Basha, por siç tha ai, u desh të zhbllokohej situata.
“As votuesit e VV-së e as qytetarët nuk janë të lumtur me përzgjedhjen për Kryetar të kuvendit. PDK ka kërkuar zhbllokadën e imponuar nga VV qysh nga dita e parë. Kemi ofruar gatishmërinë tonë për ta votuar një kandidat që s’ka qenë pjesë e ekzekutivit. Në një situatë normale, në një botë paralele asnjëherë nuk do ta votonim dikë si Dimali në krye të kuvendit, por sot kemi votuar siç kemi thënë për ta zhbllokuar situatën dhe për t’i qëndruar besnik fjalës së dhënë publike, sepse për PDK kjo është e rëndësishme”, tha Krasniqi për media.