UBT News

​Kransiqi i LVV-së në KQZ me aksion simbolik pas vendimit të PZAP-së për Listën Serbe

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve anëtari i saj nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi në hyrje të mbledhjes vendosi mbishkrimin “Po pluralizmit, jo terrorizmit”. Ky veprim i Krasniqit erdhi pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Gjatë kësaj mbledhje, me qëllim të përmirësimit të listave votuese, u miratua edhe largimi i 1 mijë e 514 personave të vdekur.

Arianit Elshani, udhëheqës i Këshillit i Operacioneve Zgjedhore, tha se shifra në fjalë është verifikuar bashkë me zyrtarët ekzekutiv të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.

“Bëhet fjalë për 1 mijë e 514 persona të evidentuar si të vdekur të cilët në bazë të verifikimeve që janë bërë nga zyrtarët ekzekutiv të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në terren, ku kanë marrë përsipër një listë të personave që janë mbi 95 vjeç dhe figurojnë në listën votuese”, tha ai.

E me kërkesë të qytetarëve të lagjes “Marigona Residence”, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi edhe hapjen e qendrës së re të votimit në këtë lagje.

Elshani tha se kjo ka qenë kërkesë e 260 votuesve dhe se qendra e votimit do të jetë në shkollën “Internacional School of Prishtina-ISP”.

“Bëhet fjalë për shkollën ‘Internacionale School of Prishtina – ISP’ që gjendet në lagjen Marigona këta votues kanë qenë të alookuar për të votuar në një qendër tjetër të votimit në fshatin Peroc në ‘Miladin Mitiq’, mirëpo është kërkuar një numër prej 260 votuesve në këtë rast ekziston mundësia me u bartë në këtë qendër të votimit”, deklaroi ai.

Në këtë mbledhje u votua edhe udhëzimi për votimin e Personave me Nevoja të Veçanta (VPNV), i cili synon lehtësimin dhe garantimin e të drejtës kushtetuese për të votuar për të gjithë qytetarët pa përjashtim dhe ka për qëllim të përcaktojë mënyrën e regjistrimit, evidentimit dhe votimit të Peronave me Nevoja të Veçanta, të cilët nuk mund të votojnë në vendvotimin e tyre.

 

Exit mobile version