Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po vazhdon procesimin e votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QKN) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas përditësimit të fundit zyrtar, në orën 08:10, deri më tani janë numëruar 19.46% e votave totale.
Nga këto rezultate të para preliminare, tashmë ka nisur të qartësohet gara e brendshme dhe renditja e kandidatëve më të votuar për deputetë brenda subjekteve kryesore politike.
Në listën e Vetëvendosjes, kryetari i partisë, Albin Kurti, udhëheq bindshëm me numrin më të madh të votave, i ndjekur nga Glauk Konjufca. Pesëshja e parë përbëhet nga: Albin Kurti – 41,629 vota, Glauk Konjufca – 32,690 vota, Albulena Haxhiu – 18,737 vota, Hekuran Murati – 16,254 vota dhe Donika Gërvalla-Schwarz – 15,138 vota.
Në radhët e PDK-së, kryesimin e listës me një distancë të ndjeshme ndaj kandidatëve të tjerë e mban Bedri Hamza. Sipas përditësimit të fundit, ai ka 20,228 vota, i ndjekur nga Përparim Gruda me 12,874 vota, Arian Tahiri me 11,276 vota, Uran Ismaili me 9,923 vota dhe Sala Jashari me 7,166 vota.
Në garën e brendshme të LDK-së, Vjosa Osmani momentalisht prin në listën e më të votuarve, e ndjekur ngushtë nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku. Pesëshja e parë sipas votave të numëruara deri tani është: Vjosa Osmani Sadriu – 13,537 vota, Lumir Abdixhiku – 12,255 vota, Doarsa Kica-Xhelili – 9,788 vota, Hykmete Bajrami – 7,482 vota dhe Avdullah Hoti – 6,790 vota.
Gara brenda listës së AAK-së po shfaqet mjaft interesante, pasi momentalisht Ardian Gjini ka kaluar përpara Ramush Haradinajt në krye të listës. Kandidatët më të votuar të këtij subjekti janë: Ardian Gjini – 7,506 vota, Ramush Haradinaj – 6,910 vota, Daut Haradinaj – 5,304 vota, Besnik Tahiri – 4,507 vota dhe Bekë Berisha – 3,516 vota.
