UBT News

KQZ nis vlerësimin e votave nga diaspora, rreth 100 mijë fletëvotime ende pa u numëruar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se sot, nga ora 17:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) do të nisë procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime të ardhura nga votimi me postë jashtë Kosovës.

Sipas KQZ-së, në Listën Votuese janë regjistruar 132,212 qytetarë për të votuar jashtë vendit. Prej tyre, 100,970 janë regjistruar për të dërguar fletëvotimin në kutitë postare jashtë Kosovës, 3,518 në kutitë postare brenda Kosovës, ndërsa 27,724 kanë zgjedhur të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike.

Procesi i numërimit të votave nga diaspora konsiderohet vendimtar, pasi rreth 100 mijë vota nga jashtë vendit, së bashku me votat me kusht, mund të ndikojnë në ndarjen e deri në pesë mandateve në Kuvendin e Kosovës.

Bazuar në rezultatet preliminare nga vendvotimet e rregullta, të cilat tashmë janë numëruar 100 për qind, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 42.91 për qind të votave dhe projektohet të sigurojë 48 ulëse në Kuvend.

Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 21.12 për qind dhe 24 mandate, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.58 për qind pritet të ketë 20 deputetë.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shënuar rritje, duke siguruar 7.16 për qind të votave dhe tetë mandate.

Rezultatet përfundimtare pritet të qartësohen pas përfundimit të procesit të verifikimit dhe numërimit të votave nga diaspora dhe votave me kusht.

/E.A/

Exit mobile version