UBT News

KQZ gati për rezultatet përfundimtare: Përfundon rinumërimi i 185 vendvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur zyrtarisht procesin e rinumërimit për të gjitha 185 vendvotimet e kontestuara. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, procesi ka përfunduar sot në orën 12:00 dhe të dhënat e reja tashmë janë përditësuar në platformën zyrtare të rezultateve.

Me këtë hap, KQZ-ja ka mbyllur teknikisht të gjitha aktivitetet e administrimit të votave dhe është gati për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Megjithatë, përpara shpalljes zyrtare, duhet të respektohen afatet ligjore për ankesat e mundshme. Elezi sqaroi se sot përfundon afati për ankesat lidhur me administrimin e numërimit nga dita e mërkurë (17 qershor), ndërsa po ashtu do të pritet nëse do të ketë ankesa për procesin e rinumërimit të përmbyllur sot.

Për më tepër, para se të procedohet tutje, KQZ-ja do të kërkojë një konfirmim zyrtar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të vërtetuar nëse ka ndonjë ankesë tjetër ende në shqyrtim.

Në fund, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) do të hartojë një raport të detajuar për gjetjet në secilin prej 185 vendvotimeve. Ky raport synon të konfirmojë se procesi i parë i numërimit nëpër komuna është zhvilluar me saktësi dhe në përputhje të plotë me vullnetin e shprehur të qytetarëve, raporton Ekonomia Online. /Ekonomia Online/ /E.A/

Exit mobile version