Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri sot në mesditë pritet të përfundojë numërimi i të gjitha fletëvotimeve të ardhura nga votimi jashtë Kosovës përmes postës.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, shtatë kutitë e fundit me vota nga diaspora pritet të numërohen gjatë orëve të paradites së të mërkurës, duke shënuar përfundimin e një prej fazave kryesore të procesit zgjedhor.
Ndërkohë, KQZ-ja do të nisë edhe numërimin e votave me kusht, proces i cili është zhvilluar në 52 vendvotime në të gjithë vendin. Në këtë kategori janë regjistruar gjithsej 8,751 votues.
Po ashtu, do të fillojë edhe numërimi i votave të personave me nevoja të veçanta.
Me përfundimin e numërimit të votave nga diaspora dhe nisjen e trajtimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, procesi i numërimit të rezultateve zgjedhore po hyn në fazën përmbyllëse.
/A.K/
