UBT News

KQZ drejt përfundimit të numërimit të votave me postë, nis numërimi i votave me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht votimi përmes postës, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Sipas KQZ-së, nga fillimi i procesit më 12 qershor në orën 21:00 deri më 17 qershor në orën 09:00, janë numëruar 215 nga gjithsej 223 kuti votimi, që përbëjnë 96.41 për qind të totalit. Në proces kanë mbetur edhe tetë kuti votimi, me numërimin e të cilave do të përmbyllet i gjithë procesi i votimit përmes postës.

Ndërkohë, të mërkurën në mëngjes ka nisur edhe numërimi i votave me kusht. Ky lloj votimi është realizuar në 52 vendvotime me kusht, ku janë evidentuar gjithsej 8.751 votues.

Po ashtu, ka filluar edhe numërimi i fletëvotimeve të personave me nevoja të veçanta, të cilët kanë votuar jashtë vendvotimeve përmes ekipeve lëvizëse. Për këtë kategori kanë qenë të regjistruar 3.144 votues.

KQZ rikujton se votimi përmes postës është zhvilluar nga 21 maji deri më 6 qershor 2026. Për këtë formë votimi ishin regjistruar rreth 105 mijë shtetas të Kosovës.

Procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime është përmbyllur më 14 qershor. Nga 85.790 pako të pranuara, janë aprovuar 82.809, ndërsa 2.981 janë refuzuar pas verifikimit.

Votimi me kusht dhe votimi i personave me nevoja të veçanta janë zhvilluar më 7 qershor. Votimi me kusht është organizuar në 38 qendra votimi, me gjithsej 52 vendvotime, ndërsa personat me nevoja të veçanta kanë votuar në adresat e tyre përmes ekipeve lëvizëse të angazhuara nga KQZ-ja.

Me përfundimin e këtyre proceseve, pritet të kompletohet numërimi i të gjitha kategorive të votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

A.K

Exit mobile version