UBT News

KQZ certifikon zgjedhjet e 7 qershorit, nis afati për konstituimin e Kuvendit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, duke i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja të Kosovës.

Sipas Kushtetutës, pas certifikimit të rezultateve, seanca konstituive e Kuvendit duhet të mbahet brenda 30 ditëve. Në këtë seancë pritet të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, ndërsa më pas do të vazhdojnë procedurat kushtetuese për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje doli forca e parë politike, duke siguruar 53 ulëse në Kuvend me 47.13 për qind të votave.

Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 22 ulëse dhe 19.44 për qind të votave, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 18 ulëse me 16.69 për qind. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës siguroi shtatë ulëse me 6.74 për qind të votave.

Sipas njohësit të proceseve zgjedhore, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, afati 30-ditor për mbajtjen e seancës konstituive fillon më 9 korrik dhe përfundon më 7 gusht. Nëse deri atëherë seanca nuk thirret nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Kuvendi mblidhet automatikisht në ditën e fundit të afatit.

Para seancës konstituive, kryeparlamentarja e legjislaturës së kaluar, Albulena Haxhiu, duhet të thërrasë mbledhjen përgatitore me përfaqësuesit e 15 subjekteve politike që kanë siguruar ulëse në Kuvend, ku do të përgatitet rendi i ditës.

Ndarja e ulëseve në Kuvend

  • Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – 53 deputetë
  • Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 22 deputetë
  • Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 18 deputetë
  • Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 7 deputetë

Me certifikimin e rezultateve, vëmendja tashmë zhvendoset te konstituimi i Kuvendit dhe negociatat politike për krijimin e shumicës parlamentare që do të formojë Qeverinë e re./A.K/

Exit mobile version