Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri më 10 qershor janë vlerësuar mbi 23 mijë e 300 pako me fletëvotime të ardhura nga jashtë Kosovës.
Sipas KQZ-së, nga këto pako janë aprovuar 22,601, ndërsa 755 janë refuzuar. Arsyeja kryesore e refuzimit ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument i domosdoshëm për votuesit e regjistruar, problem që është evidentuar në 699 raste.
Procesi i vlerësimit ka nisur më 9 qershor dhe ka për qëllim verifikimin nëse pakot janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës.
KQZ bëri të ditur se nga 23 kuti postare në 22 shtete të ndryshme dhe në Kosovë janë tërhequr mbi 85 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë e të cilave tashmë janë sjellë në Kosovë.
Gjatë periudhës së regjistrimit për votimin me postë, nga 6 deri më 17 maj, janë regjistruar 104 mijë e 480 shtetas për të votuar nga jashtë Kosovës. Pas përfundimit të procesit të vlerësimit, KQZ do të publikojë numrin përfundimtar të pakove që do të procedohen për numërim në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve./A.K/
