UBT News

KQZ: Aprovohen mbi 22 mijë pako me fletëvotime nga jashtë Kosovës, 755 refuzohen

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri më 10 qershor, në procesin e vlerësimit janë përfshirë më shumë se 23 mijë e 300 pako me fletëvotime nga jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar 22,601, ndërkaq janë refuzuar 755. Sipas KQZ-së, ky proces ka filluar më 9 qershor, në orën 16:00, dhe ka për qëllim të vërtetojë nëse këto pako janë dërguar nga votuesit e regjistruar suksesshëm.

Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 699 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja. Në fund të këtij procesi të vlerësimit, KQZ-ja do të publikojë të dhënat e plota për numrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat pastaj do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Gjatë ditës së hënë, më 8 qershor, është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës. Tërheqja e pakove është bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme, si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Nga gjithsej 23 kuti postare, janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë e konsiderueshme e të cilave tashmë janë sjellë në Kosovë. Kujtojmë se gjatë periudhës së regjistrimit, e cila u zhvillua nga 6 maji deri më 17 maj, numri i shtetasve të regjistruar me sukses për të votuar përmes postës në këto zgjedhje të parakohshme për Kuvendin e Kosovës ka arritur në 104,480 votues.  /E.A/

Exit mobile version