UBT News

KPK pezullon edhe prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt, inicohet procedurë disiplinore

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka marrë vendim për suspendimin e prokurores Arlinda Nallbani-Gacaferri, e cila ka qenë e ngarkuar me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Ndaj saj, e cila shërbente edhe si koordinatore për dhunë në familje, tashmë është inicuar edhe procedurë disiplinore.

Vendimi është marrë me rekomandim të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, pas dështimit të institucioneve për t’i ofruar mbrojtje viktimës, e cila kishte kërkuar ndihmë vazhdimisht dhe kishte paralajmëruar rrezikun që i kanosej.

Kjo masë pason suspendimin e mëparshëm të kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj. Arlinda Zekaj u vra të dielën me sëpatë nga ish-kunati i saj, Albert Sylaj, i cili u arrestua dy ditë pas kryerjes së krimit./E.A/

Exit mobile version