Fansat e “Ethet e natës së të shtunës” kanë mundësinë të rrëmbejnë një pjesë të historisë së kulturës pop këtë muaj, kur kostumi i bardhë me tri pjesë i veshur në film nga John Travolta të dalë në ankand.
Ansambli monokromatik pritet të arrijë deri në 200 mijë dollarë kur të dalë në treg si pjesë e shitjes “Hollywood: Classic & Contemporary” organizuar nga Julien’s Auctions dhe Turner Classic Movies në Kaliforni midis 22 dhe 23 prillit.
Në dramën e kërcimit të vitit 1977, Travolta luan Tony Maneron, një i ri italiano-amerikan nga Bruklini, i cili përpiqet t’i shpëtojë realiteteve të jetës së tij duke dominuar në pistën e vallëzimit në diskotekën lokale. Filmi hit ndihmoi në popullarizimin e muzikës disko në mbarë botën dhe Travolta mori një nominim për Oscar për aktorin më të mirë për performancën e tij.
Sipas organizatorëve të ankandit, kostumi poliestër i veshur nga Travolta në skenën e famshme të konkursit të kërcimit të filmit është një nga vetëm dy të përdorura gjatë prodhimit të filmit.
Kostumi cilësohet si “një nga kostumet më ikonike në historinë e kinemasë”.
“Heronjtë nga Sir Lancelot deri te Tom Mix visheshin me të bardha në garat e mëdha për të shprehur pastërtinë dhe përkushtimin e vetëm ndaj detyrës në fjalë”, tha kostumografja e filmit, Patrizia von Brandenstein, për ansamblin thelbësisht të viteve ’70 në një deklaratë./topchanel