Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar sot përgatitjet e fundit para udhëtimit drejt Stokholmit, ku edhe do ta zhvillojnë ndeshjen kundër Suedisë, në kuadër të fazës kualifikuese drejt Kampionatit Botëror “Katar 2022”.
“Dardanët” stërvitjet i zhvilluan në Kompleksin e FFK-së në Hajvali, të përcjellur nga një mot jo i mirë me reshje shiu.
Në stërvitjen e sotme, trajneri Bernard Challandes së bashku me stafin e tij u fokusuan në ushtrimin e disa skemave të lojës, si dhe në ndryshimin e lojës nga mbrojtja në repartin e sulmit.
Po ashtu, në stërvitjen e sotme i pranishëm ishte edhe mesfushori i skuadrës angleze Ipswich Town Bersant Celina.
Kombëtarja e Kosovës të shtunën me fillim nga ora 18:00 do ta zhvillojë ndeshjen e parë të muajit tetor kundër Suedisë, në stadiumin “Friends Arena”, ndeshje kjo e vlefshme për Grupin B të fazës kualifikuese drejt Kampionatit Botëror “Katar 2022”.