UBT News

Kosova zë vendin e parë në rajon për edukimin joformal në Çmimin e Vullnetarizmit Edukativ

Kosova ka zënë vendin e parë në kategorinë e edukimit joformal në kuadër të Çmimit Rajonal për Vullnetarizmin Edukativ, në mesin e nëntë shteteve pjesëmarrëse.

Çmimi iu nda Klubit të Super-Vullnetarëve “Dituria”, nga shkolla “Dëshmorët e Kombit” në Suharekë, për kontributin në promovimin e vullnetarizmit dhe edukimit joformal.

Vlerësimi u bë gjatë ditës së dytë të Konferencës Ndërkombëtare, të organizuar nga TOKA, Instituti i Psikologjisë, Universiteti i Prishtinës dhe New Horizons Foundation. Konferenca mblodhi përfaqësues institucionalë, organizata dhe profesionistë nga Kosova dhe rajoni, me fokus promovimin e vullnetarizmit, edukimit joformal dhe mirëqenies së të rinjve.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe zëvendësministri i Sportit dhe Rinisë, Sejnur Veshall, zëvendësudhëheqësi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Alexis Hupin, ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Lirim Daci, si dhe drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Habit Hajredini.

Gjatë ceremonisë u ndanë edhe Çmimet Rajonale për Shëndetin Mendor, me të cilat u vlerësuan nismat që kontribuojnë në mirëqenien dhe mbështetjen e të rinjve.

Ndërkaq, zëvendësministri Veshall ndau edhe Çmimet e Vullnetarizmit të Vitit 2026 në kategorinë e rinisë. Për punën dhe ndikimin e tyre përmes angazhimit vullnetar u vlerësuan Hekuran Mustafa, Ernest Dula dhe Mjalta Lezi.

Ky vlerësim nënvizon kontributin e të rinjve nga Kosova në promovimin e solidaritetit, aktivizmit dhe përgjegjësisë shoqërore./A.K/

Exit mobile version