Përfaqësuesja U18 e Kosovës në hendboll ka reaguar në mënyrën më të mirë pas humbjes ndaj Bullgarisë, duke shënuar fitore bindëse 31:22 ndaj Qipros në xhiron e dytë të “Men’s 18 EHF Championship II”, që po zhvillohet në Telavi të Gjeorgjisë.
Ndeshja nisi e baraspeshuar, me të dyja skuadrat që shkuan në pushim me rezultatin 14:14.
Në pjesën e dytë, hendbollistët kosovarë dominuan plotësisht në parket, duke krijuar epërsi të konsiderueshme dhe duke e mbyllur takimin me nëntë gola diferencë.
Më efikasi te Kosova ishte Lorik Kelmendi me gjashtë gola. Ajan Muqolli realizoi pesë herë, ndërsa Arbian Thaqi, Butrint Miftari dhe Leon Kelmendi kontribuuan me nga katër gola secili.
Pas kësaj fitoreje, Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë ndeshjen e radhës të mërkurën nga ora 11:45, kur do të përballet me Belgjikën.
D.L
