UBT News

Kosova U18 nis rrugëtimin në Evropian, ndeshjen e parë e luan ndaj Bullgarisë

Kombëtarja U18 e Kosovës në hendboll po vazhdon përgatitjet intensive për Kampionatin Evropian “Men’s 18 EHF Championship II”, i cili do të zhvillohet në Telavi të Gjeorgjisë.

Nën drejtimin e koordinatorit të gjeneratave të reja në Federatën e Hendbollit të Kosovës, Bujar Qerimi, hendbollistët e rinj janë vendosur në Ferizaj, ku po zhvillojnë fazën përfundimtare të përgatitjeve para nisjes së garës.

Federata Evropiane e Hendbollit ka publikuar edhe orarin e ndeshjeve. Kosova do ta zhvillojë sfidën e parë më 2 gusht, nga ora 11:45, përballë Bullgarisë.

Pas këtij takimi, Dardanët e rinj do të përballen me Qipron, Belgjikën, Gjeorgjinë dhe Britaninë e Madhe, ndërsa më 9 gusht, në ditën e fundit të kampionatit, do të zhvillohen ndeshjet për renditjen përfundimtare.

Kjo gjeneratë tashmë ka fituar përvojë në disa gara ndërkombëtare dhe synon një paraqitje sa më të suksesshme në Evropian, me objektivin për të konfirmuar rritjen e vazhdueshme të cilësisë së hendbollit kosovar në grupmoshat e reja.

D.L

Exit mobile version