Kombëtarja U18 e Kosovës në hendboll ka përfunduar me një fitore në paraqitjen e saj në Kampionatin Botëror që po mbahej në Chuzhou të Kinës. Në një ndeshje për vendin e 23-të, ekipi kosovar arriti të triumfojë ndaj Nigerisë me rezultatin 21:18.
Ndeshja e luajtur të premten në orët e para të mëngjesit sipas kohës në Kosovë, ishte e rëndësishme për të vendosur pozitat përfundimtare në turneun botëror. Pjesa e parë e takimit ishte e fortë dhe e barabartë, duke përfunduar me rezultat 7:7. Megjithatë, në pjesën e dytë, përkundër telasheve me lëndime, hendbollistet kosovare shfaqën një lojë të përmirësuar dhe arritën të sigurojnë fitore.
Diona Dreshaj shkëlqeu në këtë ndeshje duke shënuar 10 gola dhe u shpall më e mira e takimit. Bashkëluftëtaret e saj, Arjeta Imeraj, Orgesa Gola dhe Andra Uglani, kontribuuan gjithashtu me nga 3 gola secila, duke ndihmuar në sigurimin e fitores përfundimtare.
Ky ishte Botërori i parë për hendbollistet kosovare, dhe ishte hera e parë që një ekip kombëtar i Kosovës në sportet ekipore kualifikohej dhe merrte pjesë në një turne të tillë. Kosova U18 përfundoi garën me tri fitore dhe katër disfata, duke lënë pas nëntë ekipe kombëtare dhe duke arritur një rezultat të lakmueshëm në skenën ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e parë e Kosovës në Botërorin e hendbollit është një arritje e madhe dhe një hap përpara për zhvillimin e këtij sporti në vend. Ekipi tani do të kthehet në shtëpi me përvojën e fituar dhe një vend të nderuar në historinë e hendbollit kosovar./UBTNews/