Kombëtarja U21 e Kosovës ka triumfuar kundër Andorrës, me rezultat 1:0, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2021. Kësisoj, Dardanët e rinj i dhanë fund serisë prej pesë ndeshjeve pa fitore.
Ndonëse në këtë takim përzgjedhësi Rafet Prekazi pati mungesa në përbërje për shkak se disa prej futbollistëve titullar që luajtën në ndeshjen kundër Austrisë, rezultuan pozitiv në testin me Covid-19, kjo nuk e zvogëloi motivin e ekipit për të arritur këtë fitore të rëndësishme.
Kosova e dominoi në tërësi ndeshjen, por deri te goli i fitores erdhi vetëm në minutën e 62-të, kur pas një aksioni të shkëlqyeshëm të nisur nga Edison Kqiku që asistoi për Alban Ajdinit, derisa ky me një harkim të mirë e gjeti Mirlind Dakun, i cili nuk e shpërdoroi këtë rast, duke e çuar topin në rrjetë për rezultatin 1:0.
Edhe pas këtij goli, Dardanët e rinj ishin më të mirë dhe krijuan disa raste, por nuk ishin efikas. Për Kosovën kjo ishte fitorja e tretë pas tetë ndeshjeve të zhvilluara në ecurinë e deritashme të kualifikimeve, derisa dy ndeshjet e fundit do t’i luajë kundër Turqisë dhe Shqipërisë.