UBT News

Kosova tërhiqet nga Kampionati Evropian Senior i Golfit në Qipro

Federata e Golfit e Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian Senior të Golfit 2026, i cili ka nisur sot në Paphos të Qipros, për shkak të moslejimit të paraqitjes së simboleve shtetërore të Kosovës në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera pjesëmarrëse.

Sipas njoftimit të federatës, golfisti Azer Bislimaj kishte siguruar kualifikimin për herë të dytë radhazi në këtë garë prestigjioze evropiane dhe ishte planifikuar të përfaqësonte Kosovën mes 29 shteteve pjesëmarrëse.

Federata bëri të ditur se të gjitha procedurat për pjesëmarrje ishin përfunduar me kohë. Regjistrimi zyrtar ishte realizuar më 23 prill 2026, ndërsa ishin kryer edhe pagesat përkatëse për udhëtimin dhe akomodimin. Në kuadër të përgatitjeve, Bislimaj kishte zhvilluar kampe stërvitore në Spanjë dhe një fazë intensive përgatitore në Gjermani nën drejtimin e trajneres Madeleine Krüger.

Sipas Federatës së Golfit të Kosovës, në procesin organizativ ishte përfshirë edhe European Golf Association, e cila kishte përgatitur paraqitjen teknike të sportistit në sistemet zyrtare të kampionatit, duke përfshirë të gjitha të dhënat identifikuese dhe flamurin e Kosovës.

Megjithatë, më 27 maj 2026, federata është informuar se autoritetet e Qipros nuk do të lejonin përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës gjatë kampionatit. Pas këtij vendimi, Federata e Golfit e Kosovës ka vendosur të mos marrë pjesë në garë.

“Sporti duhet të bazohet në parimet e barazisë, respektit dhe trajtimit të njëjtë për të gjithë pjesëmarrësit. Pjesëmarrja në kushte të pabarabarta nuk është e pranueshme”, thuhet në reagimin e federatës.

Pavarësisht mungesës në kampionat, Federata e Golfit e Kosovës ka ritheksuar angazhimin e saj për zhvillimin e golfit në vend dhe për vazhdimin e bashkëpunimit me organizatat sportive ndërkombëtare, me synimin që sportistët kosovarë të përfaqësohen me dinjitet dhe në kushte të barabarta në arenën ndërkombëtare.

D.L

Exit mobile version