UBT News

Kosova synon përmbysjen ndaj Austrisë, Krasniqi optimiste për fitore

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll për femra synon përmbysjen e rezultatit ndaj Austrisë, në ndeshjen kthyese të raundit të parë të plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2027.

“Dardanet” do të zbresin në fushë të martën në Vjenë, nga ora 18:00, pas humbjes 2:1 në përballjen e parë të zhvilluar në Prishtinë.

Përzgjedhësja Sanije Krasniqi është shprehur optimiste para kësaj sfide, duke theksuar se skuadra është e kompletuar, e përgatitur dhe e motivuar për të arritur rezultat pozitiv.

“Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen e nesërme. Besojmë se vajzat do ta japin maksimumin nga ajo që bashkërisht e kemi ndërtuar për këtë ndeshje”, ka deklaruar Krasniqi.

Ajo ka vlerësuar cilësinë e përfaqësueses austriake, duke pranuar se Kosovën e pret një përballje e vështirë, veçanërisht në fushën kundërshtare.

Për dallim nga ndeshja e parë, ku munguan disa futbolliste për shkak të problemeve shëndetësore, këtë herë Kosova do të ketë në dispozicion skuadrën e kompletuar.

Edhe Federata e Futbollit e Kosovës ka konfirmuar atmosferën pozitive dhe motivimin e lartë brenda ekipit, ndërsa përgatitjet e fundit janë përqendruar në aspektin taktik.

Kjo është pjesëmarrja e parë historike e Kosovës në plejofin kualifikues për një Kampionat Botëror. Fituesja e duelit Kosovë–Austri do të përballet në raundin tjetër me fituesen e çiftit Zvicër–Izrael.

D.L

Exit mobile version