Në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë është duke u zhvilluar FIBA European Challenger për U16 te meshkujt në basketboll e në të cilën po marrin pjesë Kosova, Shqipëria, Luksemburgu, Gjibraltari, Malta dhe Moldavia. Ndeshjet janë duke u zhvilluar me praninë e tifozëve, me 15 përqind të kapaciteteve të palestrës së hapur për shikues, dhe nën masa të rrepta kundër përhapjes së COVID-19.
Kombëtaret janë akomoduar dy ditë më herët ku janë testuar për COVID dhe nuk është regjistruar asnjë rast pozitiv. Mediat dhe mysafirët, por edhe të gjithë të pranishmit, po mbajnë maska dhe janë të obliguar të respektojnë distancën sociale.
Sekretarja e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, ka thënë për KosovaPress se ekipet pjesëmarrëse janë duke u testuar vazhdimisht dhe në baza ditore për COVID-19 sepse këto janë rregullat e kërkuara nga FIBA.
“Për dallim nga herët e tjera kur kemi organizuar evente të tilla, këtë herë ndryshimi është që ekipet është dashur të vijnë dy ditë më herët, jo vetëm një, për shkak të protokollit të FIBA-s për COVID-19 dhe në të njëjtën kohë ekipet vazhdimisht prej kur kanë ateruar vazhdimisht janë duke u testuar me PCR dhe antigjen. Kjo është ngarkesë shtesë për stafin organizativ të FIBA Europian Challanger U16. Megjithatë për ne, falë organizimit që kemi pasur në shkurt për Përfaqësuesen A të Kosovës me tri shtete të tjera, tashmë me gjashtë shtete jemi mobilizuar maksimalisht dhe organizimi deri më tani, pra deri në ndeshjen e parë që filloi Shqipëria kundër Gjibraltarit, gjithçka ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Dushku.
Dushku më tutje duke folur për KosovaPress tha se Kosova e fitoi të drejtën për organizimin e këtij eventi pasi kanë aplikuar në këtë institucion dhe kërkesa e FBK së është pranuar pavarësisht rregullave strike që duhet t’iu përmbahen organizatorët.
“Në fakt ne qysh në vitin 2020 e kemi fituar të drejtën për ta organizuar Kampionatin Evropian, divizionin C U16 megjithatë për shkak të COVID-it është anuluar dhe ne kemi aplikuar sërish për 2021 për ta organizuar të njëjtin event. Ne prap i kemi thënë FIBA-s për ta organizuar pavarësisht protokollit për COVID-19, pavarësisht testimeve dhe masave të tjera strikte që janë të bazuara në FIBA protokollin për COVID-19”, theksoi Dushku.
Sa i përket Përfaqësueses së Kosovës, Dushku u shpreh e bindur që ekipi dardan e synon arritjen në finale të këtij eventi të madh sportiv.
“Ne po besojmë që Përfaqësuesja U16 e Kosovës është përgatitur maksimalisht, jo vetëm Përfaqësuesja U16 por edhe U18, U20 meshkujt edhe ekipeve ta vajza U20 edhe ekipit A të femrave u kemi bërë kushtet më të mira të mundshme. Çdo vit po shkon duke u bërë më mirë andaj po besoj që djemtë në këtë një muaj grumbullim që e kanë pasur janë përgatitur maksimalisht dhe duke i analizuar të gjitha përfaqësueset e tjera po besoj që shtabi teknik ka ardhur në përfundim që Kosova duhet të shkojë deri në finale të FIBA U16”, tha Dushku.
Ndryshe, Kosova ndeshjen e parë e zhvillon sot nga ora 17:00 kundër Maltës, ndërsa Shqipëria është duke u ballafaquar me Gjibraltarin.