Mediat e kontrolluara nga Vuçiqi akuzojnë opozitën për tradhëti në çështjen e Kosovës, Srebrenicës dhe NATO-s.
Ky lloj testi, përbëhet nga tre pyetje: A jeni për hyrjen e Serbisë në NATO? A e njihni pavarësinë e Kosovës? Dhe a ka pasur gjenocid në Srebrenicë? Çdo mundësi mediatike, duele të rralla televizive mes qeverisë dhe opozitës, rrjetet sociale, tabloidet e regjimit, foltoret parlamentare, shfrytëzohen që disa prej këtyre pyetjeve t’iu drejtohen liderëve të opozitës.
Në shikim të parë këto duken si pyetje legjitime në luftën politike. Por duke pasur parasysh faktin se çdo përgjigje e opozitës konsiderohet “e gabuar” nga mediat proqeveritare dhe partia në pushtet, atëherë është e qartë që këto pyetje shikohen si një mundësi për manipulimin e zgjedhësve, me të cilat “dëshmohet” mungesa e patriotizmit të opozitës apo mungesa e largpamësisë.
Provokimet klasike të regjimit
Këto tri çështje janë ndër provokimet klasike të këtij regjimi, vlerëson për Deutsche Wellen, kryeredaktori i së përjavshmes “Vreme”, Filip Shvarm. “Ato në fakt shërbejnë për të paraqitur kandidatët e opozitës si tradhtarë, të cilët i marrin detyrat nga ambasadat e huaja”.
“Nëse fillojmë, për shembull, me çështjen e anëtarësimit në NATO”, shpjegon Shvarm, “kjo çështje tani po merr peshë, sepse kandidati i opozitës, gjenerali Zdravko Ponosh është një kandidat serioz në zgjedhjet presidenciale”. Prej kohësh ai akuzohet si “gjeneral i NATO-s”, e NATO “na i ka vrarë fëmijët” dhe ai skualifikohet si kundërshtari politik i votuesve.
Gazetari Slobodan Stupar beson se “këto janë pyetje që i ka shkruar Aleksandar Vuçiq në kabinetin e tij dhe ua ka dërguar mediave të regjimit”. Vuçiq ndoshta i sheh këto pyetje në kokën e tij si të pakëndshme për opozitën, ku çdo përgjigje të opozitës do ta pohonte si shokuese, me shpjegimin se opozita e njeh pavarësinë e Kosovës, ose dëshiron të anëtarësohet në NATO, ose mendon se ka pasur gjenocid në Srebrenicë. Por ky është një nivel i ulët i propagandës së Aleksandër Vuçiqit dhe regjimit të tij”, thotë Stupar.
Përgjigja e “saktë”
Nëse gjërat do të shiheshin nga këndvështrimi i partive në pushtet, ekziston një dyshim i madh se sa anëtarët e koalicionit qeverisës do t’i përgjigjeshin me “korrektësi” pyetjeve të përmendura. Tashmë ka pasur zëra brenda SNS që angazhohen hapur për anëtarësimin në NATO, si dhe analistë, të cilët thonë se Serbia ka arritur shkallën më të lartë të bashkëpunimit me NATO-n pikërisht në kohën sa SNS është në pushtet. Sipas ekspertëve ushtarakë, më shumë se kaq është vetëm anëtarësimi i plotë në NATO.
Thuhet po ashtu se përkrahja për Deklaratën e Kuvendit për gjenocidin në Srebrenicë është mbështetur nga zyrtarët e lartë aktual të shtetit, anëtarë të pushtetit të mëparshëm dhe të tanishëm.
Paradokset e jetës politike në Serbi
Pavarësinë e Kosovës nuk e pranon zyrtarisht askush në Serbi, por opozita nënvizon se koalicioni qeverisës praktikisht e çimentoi pavarësinë e Kosovës me Marrëveshjen e Brukselit dhe me hapat e mëvonshëm. “Problemi është se Aleksandar Vuçiq i jusfitikon gjërat me interesa më të larta, me shqetësimin për të ardhmen dhe prosperitetin e Serbisë dhe gjëra të ngjashme. Këto janë disa paradokse të jetës së përditshme politike të Serbisë”, thotë Shvarm dhe shton: “Kur bëhet fjalë për NATO-n, shefi aktual i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, gjenerali Mojsiloviq, ishte përfaqësues i Serbisë në NATO katër vjet. Por ai nuk quhet gjeneral i NATO-s. Ndërsa Zdravko Ponosh, i cili ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm 12 vjet më parë – quhet i tillë. Ky është një lloj paradoksi i jetës publike, ku ajo që thonë qeveria dhe Vuçiqi është e mirë, ndërsa ato që thonë të tjerët janë kundër interesave të Serbisë”, thotë kryeredaktori i së përjavshmes “Vreme”.
Qëndrimet ndaj Srebrenicës dhe Kosovës
Edhe çështja e Srebrenicës e tregon qartë këtë, thotë Filip Shvarm, sepse për Srebrenicën ekzistojnë dy lloje mesazhesh: “Një mesazh për elektoratin e brendshëm është se Ratko Mlladiq është një gjeneral serb që mbrojti popullin serb nga gjenocidi, por që është harruar edhe roli i Serbisë në këtë luftë. E kur bëhet fjalë për Perëndimin dhe BE-në, thuhet se deklarata për Srebrenicën mbetet në fuqi, sepse nuk mund të anulohet. Sidoqoftë, kjo çështje përdoret për të goditur opozitën”, thotë Shvarm.
E nëse flasim për qëndrimin e politikanëve ndaj pavarësisë së Kosovës dhe për reagimet e opinionit publik ndaj qëndrimeve të tyre, Filip Shvarm thotë se “këtu do të duhej ta imagjinojmë Boris Tadiqin si nënshkrues të Marrëveshjes së Brukselit”. Mendoj se do të kishte demonstrata të paparamendueshme në Beograd kundër kësaj Marrëveshjeje. Ose nëse imagjinoni një akt, ku kreu i shtetit apo qeverisë shkon në SHBA dhe nënshkruan një marrëveshje të tillë si ajo e Uashingtonit. Situata është e tillë që ju si opozitë, çfarëdo që të thoni për Kosovën, do të akuzoheni për tradhëti nga mediat e kontrolluara nga Aleksandar Vuçiqi”, përfundon Filip Shvarm.DW