Kombëtarja e Kosovës po përgatitet intensivisht për ndeshjen e rëndësishme kundër Rumanisë, në kuadër të Ligës së Kombeve. “Dardanët” zhvilluan sot seancën e fundit stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali përpara nisjes për në Bukuresht, ku do të përballen të premten mbrëma me Rumaninë për vendin e parë në Grupin 2 të Ligës C.
Mesfushori Muharrem Jashari dhe Lindon Emërllahu kanë shfaqur besim të fortë në aftësitë e ekipit, duke deklaruar se skuadra është e përgatitur dhe nuk i frikësohet kundërshtarit. Ekipi ka analizuar me kujdes lojën e rumunëve, duke ndërtuar një strategji të përshtatur për sfidën që i pret.
Megjithatë, Kombëtarja e Kosovës po përballet me sfida në aspektin e lëndimeve. Donat Rrudhani, pas një dëmtimi gjatë stërvitjes së fundit, është larguar nga grumbullimi dhe nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjet e nëntorit. Ai i bashkohet listës së të lënduarve ku përfshihen edhe Milot Rashica, Bersant Celina, Ermal Krasniqi, Leart Paqarada dhe Emir Sahiti. Me këtë, numri i lojtarëve të munguar ka arritur në gjashtë, duke përbërë një sfidë për trajnerin Franco Foda dhe ekipin.
Skuadra do të udhëtojë nesër drejt Bukureshtit, ku pritet të zhvillojë stërvitjen e fundit në prag të përballjes së 15 nëntorit. Pas sfidës me Rumaninë, Dardanët do të ndeshen të hënën me Lituaninë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në ndeshjen e fundit të grupit, e cila do të jetë gjithashtu vendimtare për renditjen finale./UBTNews/