UBT News

Kosova shkëlqen në “Grand Prix” të Zagrebit, fiton tri medalje

Përfaqësuesja e Kosovës në boks ka shënuar sukses të madh në Turneun Ndërkombëtar të Boksit “Grand Prix”, i mbajtur nga 18 deri më 21 maj 2026 në Zagreb të Kroacisë, duke fituar një medalje të artë, një të argjendtë dhe një të bronztë.

Në finalet e zhvilluara më 21 maj, ngjyrat e Kosovës i përfaqësuan me dinjitet dy boksierë kosovarë.

Bashkim Bajoku, në kategorinë deri në 55 kilogramë, triumfoi në finale ndaj italianit Attrativo, duke siguruar medaljen e artë dhe vendin e parë në këtë turne prestigjioz.

Ndërkohë, Zenel Hasani, në kategorinë deri në 65 kilogramë, zhvilloi një përballje të fortë kundër kroatit Tomislav Siprak. Pas një dueli mjaft konkurrues, Hasani u rendit në vendin e dytë, duke fituar medaljen e argjendtë.

Suksesit të Kosovës iu bashkua edhe Taulant Jakupi, i cili fitoi medaljen e bronztë.

Trajneri i kombëtares, Shefki Bogujevci, u shpreh i kënaqur me paraqitjet e boksierëve kosovarë dhe nivelin e treguar gjatë gjithë turneut, me theks të veçantë në ndeshjet finale.

Në këtë aktivitet ndërkombëtar, drejtësinë e ndau edhe gjyqtari ndërkombëtar kosovar Latif Demolli.

Ky rezultat përbën një tjetër arritje të rëndësishme për boksin kosovar në arenën ndërkombëtare dhe dëshmon ngritjen e vazhdueshme të sportistëve kosovarë në garat elitare.

Exit mobile version