Kosova do të shënojë 148-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 27-vjetorin e Çlirimit të vendit me një agjendë të gjerë aktivitetesh përkujtimore dhe festive, që përfshijnë homazhe, ekspozita, koncerte dhe veprimtari shkencore.
Aktivitetet kanë nisur me ceremoninë për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në kompleksin historik në Prizren, ndërsa programi qendror do të zhvillohet më 12 qershor me homazhe në Prekaz, te varret e figurave të njohura kombëtare dhe në monumentet e dëshmorëve në Prishtinë.
Në kuadër të shënimeve do të hapet edhe ekspozita “KFOR and Kosova 25+” në Bibliotekën Kombëtare, do të mbahet pritja shtetërore dhe koncerti festiv “Liria na Bashkon” në Gjakovë me ansamble nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Më 25 qershor parashihet edhe një ligjëratë përkujtimore për akademikun Rexhep Qosja në Bibliotekën Kombëtare, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij.
Institucionet e Kosovës theksojnë se përmes këtyre aktiviteteve synohet nderimi i ngjarjeve dhe figurave që kanë shënuar historinë kombëtare dhe rrugëtimin drejt lirisë./A.K/
