Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë ndeshjen ndaj Izraelit më 1 tetor 2026 në stadiumin Nagyerdei Stadium, në qytetin Debrecen, me fillim nga ora 20:45. Impianti modern hungarez ka një kapacitet prej rreth 20 mijë ulësesh dhe vazhdon të shërbejë si terren neutral për ndeshjet që Izraeli i zhvillon si vendas.
Përfaqësuesja izraelite edhe këtë edicion do të presë kundërshtarët jashtë vendit, ndërsa për Kosovën kjo përballje do të jetë ndeshja e tretë në grupin e saj në Ligën B të Ligës së Kombeve.
“Dardanët” po garojnë për herë të parë në histori në Ligën B, një arritje që shënon një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin ndërkombëtar të futbollit kosovar. Dueli ndaj Izraelit pritet të ketë peshë të madhe në garën për pozitat kryesuese të grupit dhe mund të jetë vendimtar për objektivat e të dyja kombëtareve.
D.L
