UBT News

Kosova së shpejti me stilin e saj të veshjes

Një nga fakultetet më të kërkuara për studim në UBT vazhdon të mbetet drejtimi Dizajn i Integruar. Me katër specializimet që studentët mund të përzgjedhin nga ky fakultet, ata po arrijnë të krijojnë produkte interesante dhe të veçanta për publikun dhe jo vetëm.

Aferdita Statovci, profesoreshë në këtë fakultet, e ftuar në emisionin “N’Stop” në Radio Campus u shpreh se ky drejtim u ofron studentëve mundësi ta gjejnë vetën në specializimet që ofrohen këtu.

“Dizajni i Intergruar i jep studentit një mundësi me gjet veten në njërën prej katër specializimeve, me u fokusua pak më shumë në specializimin e tyre të caktuar, mirëpo prapë se prapë kur ta përfundojnë janë më të kompletuar si profesionistë. Do të thotë është fjala për dizajnin grafik, dizajnin e produktit, dizajnin enterier dhe dizajnin e modës dhe tekstilit”, tregoi ajo.

Ndër të tjera përgjatë bisedës, ajo tha se Kosova është një nga vendet në rajon me më së shumti stil.

Sipas saj, krahasuar me Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi, rinia e Kosovës është shumë e vetëdijshme për stilin dhe mënyrën se si duan të duken. Statovci beson se shumë shpejt, edhe Kosova do ta këtë stilin e veshjes të veçantë nga vendet e tjera.

“Unë po mendoj se janë pjekur kushtet në Kosovë edhe na me krijua stilin tonë, do të thotë zakonisht vendet që janë më të vogla si Kosova, e imitojnë dikë tjetër, shtetet tjera më të mëdha, metropolet e mdha në Europë apo botë. Unë jam e bindur që shumë shpejt, nese jo menjëherë mirëpo shumë shpejt brenda disa viteve ne kemi me e pas stilin tonë të posaçëm”, vazhdoi ajo.

Sipas Aferditës, shumica e studentëve bazohen në stilin e rrugës së Koresë së Jugut përmes një website në internet, që sipas saj ai stil është shumë i mirë si minimalizëm avangar. Tutje sipas saj edhe stilet të cilat më parë janë konsideruar si “tabu” dhe janë paragjykuar nga të tjerët, tani janë larguar.

“Unë po mendoj që janë duke u larguar këto tabu, sidomos nëpër qytete, në vendet më të vogla ndoshta jo. Unë po e shoh një rrugëtim shumë interesant të stileve, përshembull në Prishtinë e kemi prej stilit të thjeshtë dhe më konservativ, mandej e kemi deri tek stili shumë glamuroz ndoshta elegant do të thotë gjithçka mes këtyre dy stileve që munden me ekzistua. Tabutë kanë filluar të largohen, gjithmonë e më shumë po shoh të rinj me tattoo-ja, flokët çfarëdo ngjyre të ylberit”, tregoi ajo.

Statovci u shpreh se mosha ideale kur të gjithë mund ta gjejë stilin e tyre është mosha 30-35 vjeçare, ndërsa eksperimentet më të mëdha bëhen nga njerëzit në moshën 18-25 vjeçare./UBTNews

Exit mobile version