Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njofton se Kosova së shpejti do të jetë me raportim mbi cilësinë e ajrit në kohë reale nga 12 stacione monitoruese në tërë vendin.
Përmes një shkrimi në Facebook, IKSHPK-ja njofton se Projekti për cilësinë e ajrit do të sigurojë që të gjithë qytetarët të kenë qasje në informacione të sakta dhe të besueshme për cilësinë e ajrit, të cilat mund të përdoren për përmirësimin e shëndetit dhe zvogëlimin e ndotjes.
“U mbajt konferenca e parë me vendimmarrësit për cilësinë e ajrit, organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP) dhe Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK). Mbledhja e të gjithë akterëve kryesorë u bë me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit më të mirë për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend. Me këtë rast, u prezantuan elementet e fushatës përmes së cilave qytetarët do të kenë mundësi që rregullisht të kontrollojnë cilësinë e ajrit, si dhe të jenë në gjendje të marrin vendime në bazë të këtyre informatave të cilat do të jenë aktuale dhe të sakta, të siguruara nga 12 stacione për monitorimin e ajrit në tërë Kosovën”, thuhet në njoftim.
Më tej u bë e ditur se fushata mbarëkombëtare për vetëdijesim për cilësinë e ajrit është planifikuar të fillojë në fund të muajit nëntor në Kosovë me qëllim që të informojë publikun në lidhje me rreziqet ndaj shëndetit të shkaktuara nga ndotja e ajrit dhe masat që duhet t’i ndërmarrin për t’a mbrojtur veten, kështu duke ndryshuar shprehitë e tyre dhe duke bërë përpjekje për të zvogëluar nivelin e ndotjes, veçanërisht gjatë stinës së dimrit.
“Projekti për Cilësinë e Ajrit është një nga investimet tona konkrete për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe modern të të dhënave, për të rritur transparencën e institucioneve dhe komunikimin me publikun. Bashkëpunimi i ngushtë me IKSHPK dhe IHMK po luan rol të rëndësishëm në arritjen e këtij qëllimi”, u shpreh gjatë fjalës hyrëse në konferencë Petrit Selimi, drejtor ekzekutiv i MFK.
Sarah Olmstead, drejtoreshë e Fondacionit të Mileniumit për Kosovë, e veçoi këtë projekt nga të tjerët duke u shprehur “Ky është ndër projektet që më pëlqen më së shumti, jo vetëm që ndërlidhet me projektet e tjera të energjisë, por edhe për faktin që iu mundëson qytetarëve të kenë kontroll mbi nivelin e cilësisë së ajrit dhe të marrin vendime në përputhje me rrethanat”.
“Portali për Cilësinë e Ajrit, aplikacioni mobil dhe nënfaqja e CA në ueb-faqen e IKSHP janë disa nga mjetet interaktive, të zhvilluara nga projekti për cilësinë e ajrit, të cilat do t’i vihen në dispozicion të publikut në masë të madhe, duke iu mundësuar atyre kontrollimin e niveleve të ndotjes së ajrit”.
Antigona Ukëhaxhaj, e vlerësoi lartë mbështetjen që MFK po i ofron IKSHPK-së në kohën kur Kosova po përballet me cilësi shumë të dobët të ajrit. “Përmirësimi i qasjes së qytetarëve në informata të fushës së mjedisit është tejet e rëndësishme në rritjen e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje, si dhe në cilësinë dhe zbatimin e tyre”.
Kurse Letafete Latifi, drejtore e Institutit Hidrometeorologjik te Kosovës (IHMK) vlerësoi përfitimin që u sjell projekti për Cilësinë e Ajrit qytetarëve të Kosovës.
“Projektet e tilla sjellin afër njëri tjetrit të gjithë komponentët për të ndihmuar në trajtimin e ndotjes së ajrit, dhe përfitues te këtyre aktiviteteve nuk jemi vetëm ne institucionet e Kosovës nëpërmjet përmirësimit të performancës së punës tonë, por janë të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët në mënyrë të drejtpërdrejt përfitojnë nga çdo hap pozitiv i ndërmarrë në këtë drejtim”, tha ajo./UBTNews