Kosova është pranuar si anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale- Arsimin Dual (European Alliance for Apprenticeships – EAfA), duke u bërë vendi i 43-të që i bashkohet kësaj platforme evropiane prestigjioze.
Për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ky anëtarësim përbën një arritje të madhe dhe është dëshmi e përkushtimit për të fuqizuar arsimin profesional, duke e lidhur atë ngushtë me nevojat reale të tregut të punës.
“Synimet kyçe të Kosovës përmes kësaj platforme përfshijnë: përfshirjen aktive të sektorit privat në zhvillimin e arsimit dual; zgjerimin e arsimit dual në partneritet me bizneset; integrimin e arsimit dual në programet për aftësimin dhe riaftësimin e të rriturve; krijimin dhe funksionimin e Këshillave Sektoriale të Shkathtësive; përmirësimin e qeverisjes së shkollave profesionale. anëtarësimi në EAfA gjithashtu i mundëson Kosovës të ftojë për anëtarësim edhe organizata vendore, si: Odat ekonomike, shoqatat sektoriale, përfaqësues të sektorit privat, partnerë socialë dhe organizata rinore.”.
MAShT thotë se platforma EAfA nxit praktika profesionale cilësore, mobilitet të praktikantëve, bashkëpunim ndërkombëtar, dhe mbështet ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe angazhimin e autoriteteve lokale dhe të partnerëve socialë në zhvillimin e arsimit profesional.
Ministria thekson se praktikat profesionale janë çelës për një kalim të suksesshëm nga arsimi në tregun e punës, duke u ofruar të rinjve aftësi praktike në kushte reale pune.
“Pas aplikimit tonë zyrtar, kemi punuar intensivisht për të përmbushur të gjitha kriteret që kërkohen për pranim në këtë aleancë. Sot, Kosova është pjesë e një rrjeti evropian që promovon cilësinë dhe bashkëpunimin në fushën e arsimit profesional,” thuhet në deklaratën e MAShTI-t.