UBT News

Kosova pëson tjetër humbje të thellë në Lojërat Mesdhetare

Hendbollistet e Kosovës kanë pësuar edhe një humbje të thellë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Të premten, në Fasano, Kosova u mposht bindshëm nga Tunizia me rezultatin 38:10.

Hendbollistet kosovare patën vështirësi të mëdha në sulm, duke realizuar vetëm tre gola gjatë 30 minutave të pjesës së parë.

As në pjesën e dytë situata nuk ndryshoi shumë, pasi Kosova, e drejtuar nga përzgjedhësi kroat Nenad Shoshtariq, nuk arriti të rivalizojë me Tunizinë.

Për Kosovën kjo ishte humbja e katërt rresht në Lojërat Mesdhetare.

Angjelina Krasniqi ishte golashënuesja më e mirë e Kosovës me katër gola. Nga dy gola shënuan Elsa Kongjeli dhe Samanda Konjuhaj, ndërsa nga një gol realizuan Vanesa Kastrati dhe Aurea Konjuvca.

Kosova në “Taranto 2026” po paraqitet me një ekip të përbërë kryesisht nga hendbolliste të reja.

Në ndeshjen e parë të Grupit A, Kosova pësoi humbje 35:20 nga Algjeria. Në duelin e dytë u mposht 40:20 nga Greqia, ndërsa në ndeshjen e tretë humbi 38:21 nga Italia.

Ndeshjen e fundit në fazën e grupeve, Kosova do ta zhvillojë të dielën nga ora 17:30, kur përballet me Maqedoninë e Veriut.

D.L

Exit mobile version