UBT News

Kosova pëson humbjen e dytë në Kampionatin Ballkanik U17, mposhtet nga Turqia

Përfaqësuesja e Kosovës U17 në konkurrencën e femrave ka pësuar humbjen e dytë në Kampionatin Ballkanik të Volejbollit (BVA U17), pasi u mposht me rezultat 3:0 nga Turqia.

Ndeshja, e zhvilluar në Pallatin e Sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj, përfundoi me setet 10:25, 19:25 dhe 11:25 në favor të përfaqësueses turke.

Turqia konfirmoi cilësinë e saj dhe statusin si një prej favoriteve të turneut, duke dominuar pjesën më të madhe të takimit. Megjithatë, volejbollistet kosovare zhvilluan paraqitjen e tyre më të mirë në setin e dytë, ku ofruan rezistencë më të madhe dhe luftuan për çdo pikë ndaj një kundërshtari shumë cilësor.

Pas kësaj humbjeje, Kosova mbetet në kërkim të fitores së parë në Kampionatin Ballkanik U17, ndërsa synon të përmirësojë paraqitjen në ndeshjet e radhës të turneut.
D.L

Exit mobile version