UBT News

Kosova pëson humbje nga Spanja

Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje nga Kombëtarja e Spanjës me rezultat 0:2 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror Katar 2022.

Kosova shfaqi një lojë dinjitoze përballë një ndër ekipeve më të fuqishme të botës. Ekipi ynë luajti mirë pjesën e parë duke rrezikuar dy herë portën kundërshtare kurse Spanja shënoi në minutën e 32-të. Autori i këtij goli ishte Pablo Fornals.

Me të filluar pjesa e dytë Milot Rashica dhe Vedat Muriqi kishin raste ideale për ta barazuar rezultatin, por përkundrazi ata nuk shënuan dhe kjo ndikoi negativisht tek lojtarët tanë. Spanja e shfrytëzoi këtë rast dhe në minutat e fundit lojtari Ferran Torres shënoi golin e dytë, që erdhi nga një kundërsulm për të përmbyllur gjithçka. Ky gol u desh që të rishikohej me VAR për t’u pranuar.

Deri në fund të ndeshjes nuk kishte më raste dhe ndeshja u përmbyll me fitoren e Spanjës në avantazh me dy gola.

Kosova me këtë humbje zë pozitën e 4-të në grupin B me 4 pikë, ndërsa Spanja është lider me 13 pikë./UBTNews

(Leon Beqiri, student në Shkenca Politike)

Exit mobile version