Bashkimi Evropian ka miratuar zyrtarisht projektet e propozuara nga Kosova në kuadër të programeve IPA 2026 dhe IPA 2027, duke i siguruar vendit një mbështetje financiare prej gjithsej 206.4 milionë eurosh.
Njoftimin e ka bërë të ditur Kryeministri Albin Kurti, i cili përmes një komunikimi e ka cilësuar këtë si një lajm shumë të mirë për qytetarët dhe një hap të madh për zhvillimin e vendit, pas konfirmimit zyrtar që ka ardhur nga Komiteti i IPA-s më 7 korrik.
Nga kjo vlerë totale, 180.5 milionë euro do të ndahen për gjashtë fusha prioritare. Konkretisht, 44 milionë euro do të shkojnë për mjedisin dhe klimën, 34.5 milionë euro për sektorin e energjisë, kurse për konkurrueshmërinë, arsimin dhe punësimin janë ndarë 31.8 milionë euro. Po ashtu, menaxhimi i kufijve dhe migrimi do të mbështetet me 30.5 milionë euro, qeverisja e mirë dhe përafrimi me BE-në me 24.7 milionë euro, ndërsa 15 milionë euro janë alokuar për sundimin e ligjit.
Kryeministri ka bërë të ditur se rreth gjysma e këtyre fondeve do të shkojnë për investime infrastrukturore, ku shumica e projekteve do të realizohen në kombinim me partnerë të tjerë zhvillimorë dhe me bashkëfinancim nga institucionet vendore. Projektet do të fillojnë zbatimin fill pas miratimit nga Komisioni Evropian dhe ratifikimit të Marrëveshjes Financiare në Kuvend.
Përveç programeve IPA, Kosovës i janë miratuar edhe tri grante nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), në vlerë totale prej 25.9 milionë euro.
Në këtë kuadër përfshihet granti investues prej 24.3 milionë euro për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza në Podujevë në bashkëpunim me BERZH-in, si dhe asistenca teknike për përgatitjen e investimeve në Hidrosistemin Ibër-Lepenc dhe për segmentin e autostradës Qafë e Duhlës–Banullë. Kryeministri Kurti ka shprehur falënderimin e tij ndaj Bashkimit Evropian për këtë mbështetje, duke garantuar se këto mjete do të shfrytëzohen plotësisht në funksion të qytetarëve dhe progresit ekonomik e social të vendit. /E.A/
