UBT News

Kosova përballet sot me Spanjën në një takim që është më shumë se thjesht një ndeshje futbolli

Kosova do të ballafaqohet sot me Spanjën për herë të parë në historinë e ekipit kombëtar, në kërkim të fitores së parë në kualifikime për Kupën e Botës 2022, por ky takim do të jetë më shumë se thjesht një ndeshje futbolli në Sevillë.

Spanja dhe Kosova do të përballen sonte në orën 20:45, në një ndeshje të Grupit B kualifikues për Botërorin e Katarit në stadiumin “La Cartuja” në Sevillë, raporton Gazeta Express.

Kosova e nisi në mënyrë dëshpëruese fushatën e dytë kualifikuese në historinë e kombëtares, duke pësuar disfatë bindëse 3:0 kundër Suedisë të dielën në Prishtinë.

Për dallim nga verdhekaltrit, Spanja e mundi 2:1 Gjeorgjinë falë një goli të vonshëm të dielën në udhëtim, pasi kishte barazuar 1:1 me Greqinë në ndeshjen hapëse para një jave.

Por ndeshja e sotme është në qendër të polemikave diplomatike mes Kosovës dhe Spanjës.

Spanja është njëra prej tri kombëtareve në grupin e dardanëve, bashkë me Greqinë dhe Gjeorgjinë, që s’e njohin pavarësinë e Kosovës. Për më tepër vendi iberik është kundërshtar i zëshëm i pavarësisë se shtetit më të ri evropian, kryesisht për shkak të Katalunisë, rajonit të vet verilindor, e cila kishte votuar unanimisht në një referendum në vitin 2017 për t’u pavarësuar nga Spanja.

Polemikat nisën kur Federata e Futbollit e Spanjës e quajti territor Kosovën dhe mediat spanjolle pretenduan se Spanja nuk do të pranonte që himni kombëtar i Kosovës të luhej në stadium para ndeshjes e as flamuri i saj të valëviste gjatë ndeshjes.

Federata e Futbollit e Kosovës i reagoi duke e kërcënuar se nuk do të luante nëse simbolet e saj shtetërore nuk do të respektoheshin. Pas një bisede mes krerëve të dy federatave dhe UEFA-s, Spanja u detyrua të pranojë që ndeshja të zhvillohet në bazë të rregullave të UEFA-s e FIFA-s.

Por përveç mediave spanjolle që shpesh në shkrimet e tyre madje nuk ia shkruanin as emrin Kosovës, federata spanjolle ka bërë çmos t’i shmangët sa më shumë përmendjes së Kosovës në njoftimet e saj, sidomos në konferencë për media një ditë para ndeshjes.

Ajo i është drejtuar Kosovës si “ekipi kosovar”, ndërsa trajneri i furisë së kuqe Luis Enrique iu ka drejtuar Kosovës vetëm si “përfaqësuese”.

Qëllimi i federatës spanjolle dhe mediave në Madrid për ta mënjanuar emrin e Kosovës ka qenë i dukshëm.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, të martën e paralajmëroi Spanjën se do ta tërheqë ekipin dardan nga fusha në Sevillë nëse simbolet e shtetit të Kosovës nuk respektohen të mërkurën mbrëma.

Exit mobile version