Përfaqësuesja e Kosovës në futbollin e femrave do të përballet me Austrinë në dy ndeshje të raundit të parë të plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2027.
Ndeshja e parë do të zhvillohet të premten, nga ora 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa sfida e kthimit do të luhet më 13 tetor, në të njëjtën orë, në Vjenë.
Skuadra që do të jetë më e suksesshme pas dy ndeshjeve do të avancojë në raundin e dytë dhe të fundit të plejofit.
Në letër, Austria shihet si favorite, pasi në fazën e rregullt të kualifikimeve garoi në Ligën A, ku përfundoi e treta në grup, pas Gjermanisë dhe Norvegjisë.
Kosova, në anën tjetër, garoi në Ligën C, ku e përfundoi grupin në vendin e parë, duke lënë pas Kroacinë, Bullgarinë dhe Gjibraltarin.
Federata e Futbollit të Kosovës ka publikuar të hënën listën e futbollisteve të grumbulluara për këto dy përballje. Pas dorëheqjes së Sami Sermaxhajt, përfaqësuesen A të Kosovës në këto ndeshje do ta drejtojë Sanije Krasniqi.
Në rast se Kosova arrin ta eliminojë Austrinë, në raundin e fundit të plejofit do të përballet me fituesin e çiftit Zvicër–Izrael.
Kosova dhe Austria janë përballur së fundmi edhe me përfaqësueset e meshkujve. Në ndeshjen e zhvilluar në Vjenë, Austria fitoi 3-1, ndërsa sfida e së dielës në “Fadil Vokrri” përfundoi 1-1. Këto ndeshje u zhvilluan në kuadër të Ligës B të Ligës së Kombeve.
D.L
