UBT News

Kosova pa fitore në not, taekwondo dhe boks

Sportistët e Kosovës kanë zhvilluar sot gara në not, taekwondo dhe boks në kuadër të Lojërave Mesdhetare, por pavarësisht përkushtimit, nuk arritën të sigurojnë ndonjë fitore.

Në not, Hana Beiqi e përfundoi garën në vendin e gjashtë, ndërsa Erina Idrizaj u rendit e shtata në disiplinën 50 metra shpinë.

Në taekwondo, Kosovën e përfaqësuan Resa Gashi, Bled Tufa dhe Jon Gashi. Resa Gashi u mposht 2:0 nga spanjollja Helena Suarez. Me të njëjtin rezultat përfunduan edhe duelet e Jon Gashit ndaj Ivan Martinezit dhe Bled Tufës ndaj kroatit Ivan Sapina.

Në boks garuan Bashkim Bajoku dhe Taulant Jakupi. Bajoku zhvilloi një përballje të fortë me italianin Scaccia, por u mposht ngushtë 3:2. Ndërkohë, Jakupi nuk arriti ta kalojë spanjollin Paolo Bernal, i cili konsiderohej favorit në këtë përballje.

Garat e sportistëve kosovarë i ndoqën nga afër nënpresidentët e Komitetit Olimpik të Kosovës, Gazmend Maxhuni dhe Musa Selimi, si dhe anëtaret e Bordit Ekzekutiv, Vjollca Krasniqi dhe Besire Domaniku.

Kështu, edhe në këto tri sporte Kosova mbeti pa fitore, ndërsa garuesit kosovarë do të kërkojnë rezultate më të mira në ditët në vazhdim.

D.L

Exit mobile version