Kombëtarja e Kosovës në hendboll është mposhtur nga Hungaria me rezultat 34:20, në ndeshjen e zhvilluar të dielën mbrëma në Ferizaj, në kuadër të xhiros së dytë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2028.
Përkundër humbjes, Dardanët e nisën mjaft mirë takimin, duke krijuar epërsi prej 6:3 në minutën e shtatë. Megjithatë, Hungaria, si favorite e grupit dhe njëra prej kombëtareve më të forta në Evropë, arriti të rikthehej në lojë dhe ta përmbyste rezultatin.
Pjesa e parë përfundoi me epërsi 17:12 për mysafirët, ndërsa në pjesën e dytë hungarezët e thelluan edhe më shumë dallimin për ta siguruar fitoren me rezultat 34:20.
Në paraqitjen e Kosovës ndikuan edhe mungesat e shumta të lojtarëve të rëndësishëm, si Egzon Gjuka, Leonard Gegaj, Valon Dedaj dhe Kastriot Jupa. Vështirësitë u shtuan edhe me përjashtimin e Jon Muqollit në minutën e 11-të.
Drenit Tahirukaj dhe Shaban Zogaj ishin golashënuesit më të mirë te Kosova, me nga pesë gola, ndërsa Olsi Mulaj realizoi katër dhe Matej Thaqi tri. Portieri Haris Berisha regjistroi nëntë pritje.
Ndeshja u zhvillua në një atmosferë të jashtëzakonshme sportive, në praninë e rreth 2.500 shikuesve në Ferizaj.
Pavarësisht rezultatit, Kombëtarja e Kosovës tregoi angazhim dhe karakter përballë një kundërshtari të nivelit të lartë evropian.
D.L
