Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll do të nisë javën e ardhshme rrugëtimin kualifikues për Kampionatin Evropian të vitit 2028, ku do të përballet me kundërshtarë të fortë në Grupin 4.
Kosova është pjesë e grupit së bashku me Hungarinë, Ishujt Faroe dhe Malin e Zi, ndërsa dy ndeshjet e para do t’i zhvillojë ndaj Ishujve Faroe dhe Hungarisë.
Selektori Jesper Ostlund ka publikuar të mërkurën listën e lojtarëve të ftuar, duke pranuar se Kosova hyn si autsajdere në këto përballje.
Ndeshja e parë zhvillohet më 4 nëntor, nga ora 20:00, në Torshavn ndaj Ishujve Faroe, ndërsa më 8 nëntor, nga ora 17:15, Kosova do të presë Hungarinë në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
“I fillojmë kualifikimet për Kampionat Evropian duke u përballur me dy kundërshtarë vërtetë të fortë si Ishujt Faroe dhe Hungaria. Jemi autsajderë të mëdhenj në të dy ndeshjet, por natyrisht shpresojmë të paraqitemi mirë, ndërsa do të bëjmë çdo gjë për të befasuar këto Kombëtare”, ka deklaruar Ostlund për Federatën e Hendbollit të Kosovës.
Kosova do të përballet edhe me mungesa të rëndësishme, pasi kapiteni Valon Dedaj dhe organizatori Leonard Gegaj nuk do të jenë pjesë e grumbullimit. Gegaj mungon për shkak të lëndimit.
Në anën tjetër, pas një periudhe të gjatë, në përfaqësuese rikthehet Endrit Abdullahi, i cili aktualisht luan në Suedi.
“Për fat të keq na mungojnë dy organizatorët e lojës, Leonard Gegaj dhe Valon Dedaj, që e bënë këtë grumbullim goxha sfidues. Në anën tjetër e mirëpresim fundorin Endrit Abdullahi, që po luan shumë mirë aktualisht në ekipin e tij në Suedi”, ka theksuar selektori suedez.
Përfaqësuesja e Kosovës do të udhëtojë të hënën drejt Torshavnit, ndërsa pas ndeshjes së parë do të rikthehet në Ferizaj për t’u përgatitur për përballjen me Hungarinë, që konsiderohet favorite e grupit.
Ostlund ka shprehur gjithashtu shpresën se tifozët kosovarë do të krijojnë atmosferë të zjarrtë në palestrën “Bill Clinton”, e cila në vitet e fundit ka qenë e mbushur në ndeshjet e rëndësishme të Kastriotit.
“Do të jetë entuziazmuese për të parë se çka mund të arrijmë së bashku. Po ashtu shpresoj për atmosferë magjike në ndeshjen tonë në shtëpi në Ferizaj. Kam qenë në atë arenë për të parë top-ndeshjet e ligës kosovare më parë dhe vërtetë shpresoj se do të jetë atmosferë e njëjtë për ndeshjen ndaj Hungarisë”, ka deklaruar Ostlund.
Dy përfaqësueset e para të grupit sigurojnë kualifikimin në Kampionatin Evropian 2028, ndërsa mundësi kualifikimi ekziston edhe përmes vendit të tretë.
Megjithatë, Kosova pritet të ketë një rrugëtim sfidues, duke marrë parasysh cilësinë e kundërshtarëve dhe mungesat në përbërjen e saj.
D.L
