UBT News

​Kosova në qendër të basketbollit evropian

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) do të organizojë dy nga ngjarjet më prestigjioze të basketbollit evropian, duke e vendosur Kosovën në një skenë të lartë ndërkombëtare jo vetëm sportive, por edhe diplomatike.

Për herë të parë, në bashkëpunim me FIBA Evropën, FBK do të jetë nikoqire e FIBA Europe U14 Get-Together dhe e takimit të Komisionit të të Rinjve të FIBA Evropës (FIBA Europe Youth Commission).

Sipas njoftimit të FBK-së, ngjarjet do të mbahen në Prishtinë, më 17-19 tetor 2025.

“FIBA Europe U14 Get-Together zhvillohet përgjatë tri ditëve, ndërsa më 17 tetor mbahet edhe takimi i Komisionit të të Rinjve të FIBA Evropës. FIBA Europe U14 Get-Together – Investim në gjeneratat e reja. Kjo ngjarje përvitshme e FIBA Evropës organizohet çdo vit në një shtet të ndryshëm, me synim edukimin e trajnerëve të rinj dhe fuqizimin e gjeneratave të ardhshme të basketbollistëve. Në Prishtinë do të mirëpriten rreth 80 trajnerë nga i gjithë kontinenti, të cilët do të ndjekin ligjërata nga figura të njohura dhe të specializuara të basketbollit evropian”, thuhet në njoftim.

Takimi i Komisionit të të Rinjve të FIBA Evropës -Diplomaci sportive në veprim

Kosova do të bëhet qendra ku mblidhen drejtuesit më të lartë të basketbollit evropian me kryetarë dhe sekretarë të federatave kombëtare nga gjithë kontinenti.

FBK ka nderin të mirëpresë Zorge Garbajosa, Kryetar i FIBA Evropës dhe udhëheqës i Komisionit, Kamil Novak, drejtor ekzekutiv i FIBA Evropës, si dhe shumë drejtues të tjerë të federatave evropiane.

Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, i cili është edhe nënkryetar i këtij komisioni, do të jetë nikoqir i takimit, duke përfaqësuar Kosovën me dinjitet në këtë forum të lartë ndërkombëtar.

“Ky organizim është shumë më tepër sesa një aktivitet sportiv. Është një mesazh i fuqishëm se Kosova është pjesë aktive e familjes evropiane të basketbollit dhe se sporti ynë po bëhet një urë e rëndësishme diplomatike me botën. Përmes këtyre ngjarjeve, jo vetëm që fuqizojmë trajnerët dhe të rinjtë tanë, por edhe forcojmë imazhin e Kosovës si vend mikpritës dhe partner i denjë në arenën ndërkombëtare.”, tha sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.

Kosova, përmes FBK-së, po tregon se është gati të jetë nikoqire e ngjarjeve të mëdha dhe një faktor i respektuar në basketbollin evropian./S.K/KP/FBK/

Exit mobile version