UBT News

​Kosova në qendër të basketbollit evropian, Dushku: Po ndërtojmë të ardhmen e basketbollit

Sekretarja e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, ka vlerësuar lart vizitën e zyrtarëve më të lartë të basketbollit evropian në Kosovë, duke e cilësuar atë si një dëshmi të besimit që FIBA Evropa ka ndaj punës dhe përkushtimit të FBK-së në zhvillimin e sportit të koshit në vend.

Krerët e FIBA Evropës qëndruan në Kosovë për eventin e FIBA U14 Get Together dhe FIBA Europe Youth Cimmision Meeting, me atë se vlerësuan lartë punën e FBK-s që po bën në zhvillimin e basketbollit, sidomos me gjeneratat e reja.

“Për Federatën e Basketbollit të Kosovës këto dy evente ndahen ne dy pjesë: e para është diplomacia sportive, ardhja e presidentit të FIBA Evropës Jorge Garbajosa brenda dy apo tre muajve për herën e dytë do të thotë shumë edhe së bashku me sekretarin e përgjithshëm apo drejtorin ekzekutiv të FIBA Evropës Kamil Novak tregon që ata me të vërtetë e vlerësojnë punën që e bënë Federata e Basketbollit të Kosovës edhe dëshmia më e mirë e krejt kësaj është fakti që kur kemi aplikuar pr herë të parë për këto dy organizime, pra për FIBA U14 Get Together dhe FIBA Europe Youth Cimmision Meeting, të dy këto shkojnë bashkë, atëherë ata pa hezitim bordi i FIBA Evropës e ka miratuar kërkesën tonë pa hezitim”, theksoi Dushku.

Dushku foli edhe për drejtimin që federata do të ndjekë në vitet e ardhshme, duke theksuar se përparësi do të ketë puna me grupmoshat e reja dhe zhvillimi i talenteve.

“Për ne është shumë e qartë, në strategjinë e re 2026/30 të cilën jemi duke e finalizuar me FIBA Botën është shumë e qartë që fokusi do të jetë në zhvillimin e gjeneratave të reja, identifikimin e talentëve dhe këtë normalisht që do ta bëjmë së bashku me ekspertët e FIBA-s, këta që janë këtu në këtë event por edhe të tjerët që do të na bashkohen gjatë rrugëtimit. Unë si sekretare e përgjithshme këto ditë jam shumë e emocionuar sepse t’i sjellim këto dy evente në Kosovë është një arritje shumë e madhe”, tha më tutje Dushku.

Sekretarja e përgjithshme e FBK-së e ka cilësuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si partner strategjik në rrugëtimin zhvillimor të basketbollit kosovar, duke theksuar se mbështetja institucionale është thelbësore për realizimin e planit strategjik të ardhshëm.

Në fund, Dushku theksoi se përmes organizimit të eventeve për grupmoshat e reja, federata po përgatitet për qëllimin madhor- sjelljen e një turneu të madh ndërkombëtar në Kosovë në të ardhmen e afërt.

“Është e rëndësishme që të gjitha këto organizime që jemi duke i bërë të gjeneratave të reja është ideja për të fituar eksperiencë dhe për ta arritur qëllimin kryesor që është organizimi i një grupi, çoftë te meshkuj, çoftë te femrat. Kështu që besoj fuqishëm që pasi të fillojmë puna për ndërtimin e infrastrukturës ose modernizimin e infrastrukturës për Lojërat Mesdhetare, është shumë e qartë se deri në vitin 2030 do ta kemi një palestër të madhe edhe disa palestra të rregulluara kështu që Qipro çfarë ka treguar këtë verë duke organizuar një grup shumë të madh me shtete shumë të mëdha, ata kanë treguar se me një organizim të tillë edhe me një mobilizim të shtetit, federatës dhe qeverisë lokale atëherë gjithçka është e mundur”, tha në fund Dushku./S.K/KP/

 

Exit mobile version