UBT News

Kosova në pjesën e epërme të Ligës B, një hap larg vazos së dytë

Të martën mbrëma ka përfunduar një tjetër periudhë e gjatë e ndeshjeve ndërkombëtare, ndërsa janë zhvilluar edhe sfidat e fundit të këtij cikli në Ligën B të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Në këtë ligë garojnë 16 përfaqësuese, të ndara në katër grupe. Pas katër prej gjashtë xhirove, Kosova ka lënë pas gjysmën e tyre sa i përket pikëve të grumbulluara.

Kosova po garon për herë të parë në Ligën B dhe në short ishte e vendosur në vazon e fundit. Duke marrë parasysh këtë, si dhe faktin se bëhet fjalë për një nivel më të lartë të garës, pritjet reale mund të ishin që “Dardanët” të ishin në pjesën e poshtme të renditjes pas katër xhirove.

Megjithatë, situata është krejtësisht ndryshe. Kosova aktualisht është në pjesën e epërme të tabelës, përballë disa përfaqësueseve me përvojë të madhe, të cilat janë pjesëmarrëse të rregullta në Kampionate Evropiane dhe Botërore.

Në Grupin 3, i cili po del të jetë më konkurruesi, Kosova ka grumbulluar pesë pikë dhe renditet e dyta. Me po aq pikë është Irlanda në vendin e tretë, ndërsa Austria kryeson me tetë pikë. Izraeli është i fundit me vetëm dy pikë.

Në Grupin 1, Zvicra ka dominuar bindshëm, duke i fituar të katër ndeshjet dhe duke grumbulluar 12 pikë. Sllovenia është e dyta me shtatë pikë, ndërsa Skocia ka katër dhe Maqedonia e Veriut nuk ka marrë asnjë pikë.

Në Grupin 2, Irlanda e Veriut kryeson me tetë pikë, e ndjekur nga Hungaria me shtatë. Ukraina ka katër pikë, ndërsa Gjeorgjia dy.

Në Grupin 4, Suedia është lidere me 10 pikë, dy më shumë se Bosnjë-Hercegovina. Polonia ka katër pikë, ndërsa Rumania ende nuk ka grumbulluar pikë.

Kështu, në renditjen e përgjithshme të Ligës B, pas Kosovës janë Irlanda, Polonia, Skocia, Ukraina, Gjeorgjia, Izraeli, Rumania dhe Maqedonia e Veriut.

Pikërisht Maqedonia e Veriut e kishte eliminuar Kosovën në rrugën drejt Evropianit 2021. Ndërkohë, ndaj Rumanisë “Dardanët” ende nuk kanë regjistruar fitore. Bilanci është një barazim dhe tri humbje, me njërën prej tyre të regjistruar me rezultat zyrtar.

Rezultatet në Ligën e Kombeve kanë rëndësi edhe përtej kësaj gare. Një prej arsyeve kryesore është se renditja në edicionin aktual ndikon në përcaktimin e vazove për shortin e kualifikimeve për Euro 2028.

Bazuar në renditjen aktuale, Kosova do të ishte pjesë e vazos së dytë për shortin e kualifikimeve. Megjithatë, këtë pozitë duhet ta konfirmojë në dy ndeshjet e fundit të grupit.

“Dardanët” më 14 nëntor do ta presin Izraelin në Prishtinë, ndërsa tri ditë më vonë, më 17 nëntor, do të përballen me Irlandën në Dublin.

Një vend në vazon e dytë do të ishte një arritje e rëndësishme për Kosovën dhe do t’i krijonte kushte më të favorshme në shortin kualifikues për Euro 2028. Përfaqësuesja kosovare synon të sigurojë për herë të parë kualifikimin në Kampionatin Evropian.

Për Euro 2021, Kosova ishte në vazon e pestë, ndërsa për Euro 2024 në vazon e katërt. Tani, “Dardanët” janë vetëm dy ndeshje larg një pozite që do t’i vendoste në vazon e dytë dhe do t’u jepte një avantazh të rëndësishëm në rrugëtimin drejt një kualifikimi historik.

D.L

Exit mobile version