UBT News

Kosova në Ditën e Evropës: Aspirata evropiane mes pengesave politike

Kosova po e shënon 9 Majin – Ditën e Evropës – mes simbolikës së orientimit të saj pro-evropian dhe sfidave që vazhdojnë ta përcjellin në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ndonëse konsiderohet një nga shoqëritë më pro-evropiane në Ballkanin Perëndimor, vendi ende nuk ka marrë statusin e kandidatit, edhe pse aplikimi për anëtarësim u dorëzua në fund të vitit 2022.

Për më shumë se dy vite, procesi integrues i Kosovës u rëndua nga masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian, të vendosura pas tensioneve në veri gjatë vitit 2023. Këto masa sollën pasoja edhe në aspektin financiar, duke bllokuar mbi 600 milionë euro projekte dhe mbështetje për Kosovën, deri në fillim të vitit 2026, kur Brukseli vendosi t’i largojë ato.

Situata nxiti reagime dhe kritika për qasjen e BE-së ndaj Kosovës, sidomos në raport me zhvillimet në rajon. Ndërkohë që Kosova u përball me masa kufizuese, Serbia nuk u sanksionua në mënyrë të ngjashme as pas sulmit të armatosur në Banjskë, ngjarje që tensionoi më tej raportet mes dy vendeve.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe shkencave politike, Dritëro Arifi, vlerëson se Kosova ka treguar vazhdimisht orientim të qartë drejt Bashkimit Evropian, sidomos përmes përafrimit të legjislacionit me standardet evropiane.

“Kosova është jashtëzakonisht shumë e përkushtuar drejt integrimit evropian. Të gjitha ligjet që janë miratuar që nga pavarësia janë në përputhje me ligjet e BE-së dhe në këtë aspekt Kosova është shumë e përgatitur”, thotë Arifi.

Sipas tij, megjithëse Kosova ka bërë progres në aspektin institucional dhe ligjor, pengesat politike vazhdojnë të mbeten vendimtare në procesin e integrimit.

“Procesi i integrimit nuk është vetëm teknik, por edhe politik. Problemi politik ka ndikuar që Kosova të stagnojë në këtë proces, edhe pse është ndër vendet më pro-evropiane jo vetëm në Ballkan, por edhe në shumë vende të Bashkimit Evropian”, deklaron ai.

Arifi thekson se një ndër vështirësitë kryesore mbetet fakti që pesë shtete të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, gjë që, sipas tij, krijon pengesa të vazhdueshme në avancimin e vendit drejt strukturave evropiane.

“Kosova ende nuk e ka statusin e vendit kandidat dhe kjo realisht e dëmton rrugën drejt integrimit. Në një mënyrë të vetëdijshme apo jo, vetë BE-ja po e dëmton procesin e integrimit të Kosovës, por edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor”, shprehet Arifi.

Ai kritikon edhe vendimin për masat ndëshkuese, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe me ndikim negativ për zhvillimin e vendit.

“Masat ndëshkuese të BE-së kanë qenë jashtëzakonisht të dëmshme dhe jokorrekte dhe kanë ndikuar shumë në potencialin tonë si shtet”, thotë ai.

Profesori vlerëson se Kosova duhet të vazhdojë reformat dhe ndërtimin e standardeve evropiane, pavarësisht ritmit të integrimit formal në BE.

Ai shton se forcimi i institucioneve dhe funksionimi sipas standardeve evropiane duhet të mbetet prioritet i Kosovës, pavarësisht sfidave politike që e shoqërojnë procesin.

“BE-ja duhet ta bëjë një hap dhe ta pranojë Kosovën si vend kandidat. Kjo do ta ndryshonte edhe politikën e Serbisë, sepse do të kuptohej qartë se Bashkimi Evropian nuk ka më dykuptimësi për shtetësinë e Kosovës”, deklaron Arifi.

Pas heqjes së masave ndëshkuese, pritjet tashmë janë që institucionet e Kosovës të fokusohen në objektivat e ardhshme evropiane, përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe avancimin drejt statusit të vendit kandidat.

Në Ditën e Evropës, Kosova vazhdon ta shohë integrimin evropian si synim strategjik, duke kërkuar njëkohësisht mbështetje dhe trajtim më të barabartë nga Bashkimi Evropian.

Exit mobile version