Kombëtarja e Kosovës ka pësuar një tjetër disfatë, kësaj radhe në një ndeshje të karakterit miqësor kundër Jordanisë.
“Dardanët” pësuan me rezultat 2-0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe treguan lojë të dobët gjatë gjithë 90’ minutave duke mos krijuar asnjë rast të pastër për gol.
Goli i parë i mysafirëve erdhi në minutën e 18’ të ndeshjes kur mesfushori Faisal shënoi një gol të bukur pasi portieri Arianet Muriq ishte larguar më shumë se që duhet nga porta e tij. Me këtë rezultat edhe u mbyll pjesa e parë.
Edhe pjesa e dytë u zhvillua me një ritëm të dobët nga të dy skuadrat. Trajneri slloven i Kosovës Gliha bëri katër zëvendësime duke inkuadruar lojtarë si Kastrati, Zhegrova, Loshaj dhe Selmani, por të cilët nuk sollën në fushë atë freskinë që pritej.
Një gabim të Mërgim Vojvodës e shfrytëzoi shumë mirë Daradreh që ia doli të realizojë për 2-0 në minutën e 85’ të ndeshje për ta vulosur kështu humbjen e Kosovës.
Ndeshja e radhës për “Dardanët” është ajo kundër Greqisë në udhëtim më 14 nëntor, e vlefshme për kualifikimet për në Kampionatin Botëror “Katar 2022”.