UBT do të jetë nikoqir i Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (European Organization for Quality – EOQ), i cili do të mbahet më 21–23 tetor 2026 në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, duke sjellë në Kosovë profesionistë, akademikë, ekspertë dhe përfaqësues institucionalë nga vende të ndryshme të botës. Kongresi organizohet nga Quality Kosova, organizatë kombëtare dhe anëtare e rregullt e EOQ-së.
Kongresi, me temën “Shaping Quality for a Smart, Sustainable and Resilient Future – Quality, Growth, Human Values and Trust in the Age of AI”, do të shërbejë si platformë ndërkombëtare për diskutimin e së ardhmes së menaxhimit të cilësisë, transformimit digjital, inteligjencës artificiale, qëndrueshmërisë dhe zhvillimit të institucioneve në një botë që po ndryshon me shpejtësi.
Përgjatë punimeve, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet ndikimit të inteligjencës artificiale në sistemet e cilësisë, akreditimit, arsimit, shëndetësisë, financave, industrisë dhe zhvillimit të qyteteve të mençura. Diskutimet do të trajtojnë gjithashtu rëndësinë e besimit, vlerave njerëzore dhe reziliencës në ndërtimin e sistemeve dhe institucioneve të qëndrueshme.
Përmes kongresit të saj, EOQ krijon një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, prezantimin e kërkimeve dhe praktikave të mira, si dhe zhvillimin e bashkëpunimeve ndërmjet komunitetit akademik, sektorit privat dhe institucioneve publike.
E angazhuar në bashkëpunimin me EOQ që nga viti 2008 dhe anëtare e rregullt e saj që nga viti 2013, Quality Kosova ka luajtur rol në promovimin e menaxhimit të cilësisë, certifikimit profesional dhe përafrimit me standardet ndërkombëtare në Kosovë.
Organizimi i këtij kongresi në Kosovë përbën një mundësi të rëndësishme për prezantimin e potencialit akademik, profesional dhe inovativ të vendit, si dhe për zgjerimin e lidhjeve me rrjetet ndërkombëtare të cilësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Përmes mikpritjes së këtij aktiviteti ndërkombëtar, UBT krijon hapësirë për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave ndërkombëtare, duke kontribuar në lidhjen e ekspertizës akademike me nevojat e institucioneve, industrisë dhe shoqërisë.
