UBT News

Kosova merr pjesë në takimin e NATO-s në Bruksel për mbështetjen ndaj Ukrainës

Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqodenci, ka marrë pjesë në takimin e 35-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili u zhvillua në Selinë Qendrore të NATO-s në Bruksel.

Në këtë takim, ku morën pjesë rreth 50 ministra të mbrojtjes nga vendet anëtare dhe partnere të NATO-s, u diskutuan zhvillimet e fundit të sigurisë dhe situata në Ukrainë.

Takimi u udhëhoq nga Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Dan Jarvis. Gjatë diskutimeve u rikonfirmua mbështetja e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës përballë agresionit rus.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në krah të partnerëve dhe aleatëve të saj, në mbështetje të paqes dhe sigurisë globale,” u shpreh ministri përmes një njoftimi.

Në margjinat e këtij samiti, ministri zhvilloi edhe disa diskutime me zyrtarë të NATO-s dhe ministra të tjerë të mbrojtjes, me fokus te bashkëpunimi ushtarak dhe sfidat aktuale të sigurisë.  /E.A/

 

Exit mobile version