Përfaqësuesja e Kosovës në volejboll për meshkuj ka siguruar pikën e parë historike në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, në paraqitjen debutuese të volejbollit kosovar në këtë garë.
Dardanët zhvilluan një ndeshje të jashtëzakonshme ndaj Turqisë, njërës prej skuadrave favorite të turneut, duke fituar dy setet e para. Megjithatë, turqit arritën ta përmbysin rezultatin dhe triumfuan 3:2.
Turqi – Kosovë 3:2
21:25, 23:25, 25:15, 25:16, 15:10
Pavarësisht humbjes, Kosova fitoi një pikë të rëndësishme falë dy seteve të fituara dhe regjistroi një moment historik në debutimin e saj në Lojërat Mesdhetare.
Federata e Volejbollit të Kosovës e ka cilësuar këtë rezultat si dëshmi të rritjes së volejbollit kosovar në arenën ndërkombëtare.
Ndeshjen në “PalaMazzola” e ndoqën nga afër drejtues të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Federatës së Volejbollit të Kosovës, të cilët mbështetën nga afër Dardanët.
Kjo ishte një tjetër paraqitje pozitive e volejbollit kosovar në “Taranto 2026”, pas dy fitoreve të regjistruara më herët nga Kombëtarja e Kosovës për femra.
D.L
