Kombëtarja e Kosovës ka arritur të arkëtojë një pikë të merituar në Athinë në përballje me Greqinë, në kuadër të Ligës C në Ligën e Kombeve.
Ndeshja e zhvilluar në Stadiumin Olimpik të kryeqytetit grek është mbyllur pa gola (0:0), pas një loje mjaft të fortë dhe interesante.
Kësisoj, Dardanët rikthehen tek rezultatet pozitive pas një serie jo të mirë. Edhe pse Kosova u paraqit me shumë mungesa në këtë duel, megjithatë arriti të bëjë paraqitje shumë të mirë.
Në pjesën e parë ishin grekët që bën trysni më të madhe dhe kishin disa raste, ndër të cilat edhe një penallti në minutën e 19-të, por të cilën e priti Arjanet Muriç duke e mbajtur të paprekur rrjetën e portës dardane.
Ndërkohë, në pjesën e dytë Kosova krijoi disa mundësi të mira shënimi, por fati nuk e deshi që të shënohet.
Në minutën e 53-të, Leart Paçarada gjuajti mjaft mirë, por topin nga vija fatale e dëboi një mbrojtës grek, derisa më pas Lirim Krastrati e Benjamin Kollolli dolën në raste ideale, por që nuk e gjetën rrugën e golit.
Grupin 3 të Ligës C e kryeson Sllovenia me 10 pikë pas katër ndeshjeve të zhvilluara, pason Greqia në pozitën e dytë me 8 pikë, derisa Kosova zë vendin e tretë me 2 pikë dhe Moldavia e fundit me 1 pikë.